Fjalë Kyçe

600 hektarë tokë e pyje u dogjën nga dora e njeriut, asnjë person nuk u arrestuar

600 hektarë tokë e pyje u dogjën nga dora e njeriut, asnjë person nuk u arrestuar

Në tërë vendin janë djegur 600 hektarë pyje dhe tokë pyjore, ndërkaq Prishtina prin me më së shumti djegie.

Muajin e kaluar në vendin tonë rastet e zjarreve nëpër pyje e toka pyjore ishin mjaft të pranishme.

Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ahmet Zejnullahu, ka bërë të ditur për lajmi.net, se në regjistrimet e para del që në tërë vendin janë djegur 600 hektarë pyje e tokë pyjore.

“Gjatë këtij viti deri më tani janë bërë regjistrime preliminare për zjarret e shkaktuara në pyje dhe toka pyjore në sipërfaqe prej 600 hektarë, si dhe vazhdon akoma regjistrimi në terren sepse ende zjarret në pyje nuk janë shuar në tërësi”, ka deklaruar Zejnullahu.

Ai ka thënë se vetëm në Prishtinë 268 hektarë janë përfshirë nga zjarri.

“Rastet më të shumta janë në Rajonin e Prishtinës dhe Mitrovicës, ku regjistrimet preliminare në Prishtinë tregojnë se janë përfshirë nga zjarret 268 hektarë”, deklaroi Zejnullahu, i cili shtoi se, zjarre në përmasa më të vogla në pyje ka pasur në të gjitha regjionet e Kosovës.

Mirëpo, pavarësisht se janë djegur gjithë këto pyje e tokë pyjore, Zejnullahu thotë se nuk Agjencia që ai e udhëheq nuk ka informacione nëse ndonjë person është arrestuar për zjarrvënie.

“Ne nuk kemi shënime që është arrestuar ndonjë person nga Policia e Kosovës për rastet e zjarreve kohën e fundit, por aspak nuk jemi të kënaqur me trajtimin e rasteve dhe lëndëve që kanë të bëjnë me dëmtimin e pyjeve nga organet kompetente shumica e të cilave jo që nuk shqyrtohen fare por edhe ato që shqyrtohen më tepër janë stimulim se sa ndëshkim për vepra të tilla”, ka treguar Zejnullahu për lajmi.net.

Tutje ai ka treguar se Agjencia Pyjore e Kosovës ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për angazhimin e 500 punëtorëve për punë publike në sektorin e pyjeve, ku ndër punët tjera në pyje do të jenë edhe të angazhuar në mbrojtjen e pyjeve nga zjarret.

Zejnullahu po ashtu ka treguar për lajmi.net, se të gjitha zjarret këtë vit janë shkaktuar nga dora e njeriut, por që sipas tij, nuk është vetëm Agjencioni Pyjor i Kosovës që ka përgjegjësi për mbrojtjen e pyjeve.

“Të gjitha institucionet që kanë përgjegjësi për mbrojtjen e pyjeve duhet të jenë në nivel të përgjegjësisë për marrjen e masave në parandalimin e ndezjes së zjarreve (të gjitha zjarret e këtij viti janë shkaktuar nga dora e njeriut) sepse shumë më shumë kemi kapacitete për parandalim të ndezjes së zjarreve se për shuarjen e tyre”, ka deklaruar Zejnullahu.

Ndërkaq nga Policia e Kosovës nuk kanë treguar nëse ka apo jo ndonjë person të arrestuar i cili dyshohet për zjarrvënie.

“Policia e Kosovës, ndërmerr te gjitha veprimet e saja konform autorizimeve ligjore që ka, dhe në këto raste ju asiston njësiteve të agjencioneve kompetente për trajtim të rasteve të zjarreve. Po ashtu në rastet kur ka persona të dyshuar për rastet e zjarrvënieve kryen hetime sipas procedurave të parapara ligjore”, thuhet në përgjigjen e Policisë