Mario Draghi konfirmoi se do të jepte dorëheqjen si kryeministër i Italisë të enjten, pasi një prej partive në koalicionin e tij qeverisës nuk mori pjesë në votëbesimin ndaj qeverisë së drejtuar nga ai.
Lajmi për largimin erdhi pavarësisht se më herët gjatë ditës qeveria i mbijetoi një votëbesimi në Senat, gjatë një seance që u bojkotua nga senatorët e partisë “Lëvizja 5 Yjet”.
“Unë do t’i paraqes dorëheqjen time presidentit të republikës këtë mbrëmje”, i tha Draghi kabinetit, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e tij.
“Koalicioni i unitetit kombëtar që mbështeti këtë qeveri nuk ekziston më”, shtoi Draghi, ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, i cili ka qenë kryeministër i një koalicioni të gjerë që nga shkurti 2021.