I akuzuari për krime lufte në Kamenicë gjatë vitit 1999, Zlatan Arsiq, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, ka thënë se ai nuk është fajtor dhe nuk ka lidhje me të dëmtuarin B.M.
Fillimisht i akuzuari Arsiq ka sqaruar se në vitin 1998 kishte shkuar në Kralevë të Serbisë, ku kishte kryer trajnimin për shofer të kamionit, e më pas tha se kishte marrë transferin në Prizren, si vozitës vozitës i kamionit dhe veturave tjera ushtarake por jo luftarake.
Shtatë transferimet më të shtrenjta të afatit kalimtar të janarit në Ligën PremierCila është situata kur bëhet fjalë për korrupsionin në Evropë – sipas Transparenc…Loja me litarë sjell debate mes banorëve në BBVA, përfshihet edhe fejaSherr në Kavajë, plagoset 28-vjeçariNga Anglia e quajnë të kryer trajnerin që do ta pasojë Kloppin te Liverpooli
Ai tha se në dhjetor të vitit 1998 kishte shkuar vetëm një herë në shtëpi të tij si civil për shkak të sigurisë, ndërsa më 12 qershor 1999 e kishte përfunduar dhe ishte kthyer në shtëpi.
Arsiq ka mohuar të ketë bartur ndonjëherë uniformën e policisë së Serbisë.
“Jo asnjëherë, uniformën e vetme policore që e kam bartur është e Policisë së Kosovës.
Ai tha se të dëmtuarin B.M e ka njohur vetëm si figurë pasi që janë të të njëjtës gjeneratë, duke mohuar të ketë pasur ndonjëherë ndonjë mosmarrëveshje me të.
“Unë nuk kam kurrfarë lidhje me B.M, unë nuk kam qenë aty në atë kohë kur i ka ndodh rasti, tërë komuna e dinë që unë nuk kam pasur lidhje me B.M…Të gjithë kolegët e mijë më njohin që asnjëherë nuk e kam pasur asnjë problem as gjatë luftës e as pas luftës me askënd, as me shqiptarë e as me serbë”, ka thënë i akuzuari Arsiq.
I njëjti ka mohuar të ketë njohuri se ku ka jetuar i dëmtuari B.M para luftës, apo të ketë shkuar tek shtëpia e tij e djegur.
I akuzuari Arsiq tha se ai nuk është fajtor dhe nuk ka lidhje me të dëmtuarin B.M.
“Unë nuk po them që kjo nuk i ka ndodh, por unë këtë nuk e kam bërë”, ka thënë në fund Arsiq.
Paraprakisht në këtë seancë është dëgjuar edhe i dëmtuari B.M i cili fillimisht ka sqaruar se kur kishte shkuar për të blerë cigare, dy persona me emrat “Zlatan dhe Përzha” e kishin ndalur dhe e kishin dërguar në stacion dhe e kishin rrahur.
“M’kanë marrë shkallëve nalt më kanë sjellë, sa m’kanë sjellë, unë me minuta me kohë nuk e di, veç e di që kur kanë tentu mem sjellë në ftyrë jam mbrojt, shkallëve tenalt tu m’rreh janë dalë, deri u ardh Bora. Zlatani më ka ra, edhe Bora u kanë aty, unë muj me thanë edhe për Borën po jo, nuk muj me thanë për tjetër kon”, ka thënë i dëmtuari-dëshmitari B.M.
Ai tha se emrat e tyre në atë kohë nuk i kishte ditur, por i kishte kuptuar më vonë.
Paraprakisht në këtë seancë është bërë edhe administrimi i provave materiale ku trupi gjykues ka aprovuar provat e propozuara nga mbrojtja që të njëjtat të administrohen si prova materiale.
Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Valbona Musliu-Selimaj për relevancën apo vlersuëshmërinë e tyre, gjykata do ta bëjë në raport me provat tjera dhe dëshmitë tjera të cilat gjenden në shkresat e lëndës.
Aktakuza ndaj Arsiq është ngritur më 28 korrik 2023. Ai ngarkohet se në mars 1999 në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe i armatosur, e kishte ndalur në qendër të qytetit të Kamenicës të dëmtuarin B.M, me veturë të policisë të tipit Llada me ngjyrë të bardhë, ku nga ajo veturë kanë dalë dy policë, njëri ndër ta i akuzuari dhe iu kanë drejtuar të dëmtuarit me fjalët “Gde si UÇK’, “Ku po i dërgon këto cigare”, “UÇK-së po ja dërgon”, “tash të tregoj se për kënd i ke blerë cigaret”.
Sipas njëjtit dispozitiv, të dëmtuarin B.M e kanë detyruar që të niset para tyre me biçikletë, duke e përcjellë mbrapa me veturë deri në stacionin e policisë në Kamenicë, ku pastaj i akuzuari e ka kapur nga krahu të dëmtuarin dhe kur janë afruar te shkallët e stacionit policor, ka filluar që ta godasë të dëmtuarin me shufër gome derisa e ka dërguar në zyrë në katin e dytë, ku posa e ka futur në zyrë, ka filluar ta godasë përsëri në pjesë të ndryshme të trupit me shufër gome, shqelma dhe grushte duke e torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysmë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë, raporton betimiperdrejtesi.
Sipas dispozitivit të dytë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari Arsiq, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars të vitit 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë (tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ia kanë venë zjarrin, po ashtu kanë marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë.
Tutje, thuhet se i dëmtuari B.M së bashku me familjen e tij, disa ditë pasi ishte torturuar e maltretuar nga i akuzuari, kishte shkuar te shtëpia prej të cilës ishte dëbuar dhe ishte djegur, në të cilën ai me familje kishin banuar me qira, ishte takuar me të akuzuarin në oborrin e shtëpisë në fjalë dhe i akuzuari në këtë rast e kishte goditur me shuplakë të dëmtuarin dhe ia kishte vendosur tytën e automatikut në fyt, duke e kërcënuar se mund ta ekzekutonte dhe pas një kohe policia serbe, e kishin liruar të dëmtuarin dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij, ku të njëjtin kishin vazhduar për në shtëpinë e dajës së të dëmtuarit, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve. vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
Me këtë, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale në bashkëkryerje “Krime Lufte Kundër Popullatës Civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSF-së./BetimipërDrejtësi