Fjalë Kyçe

Ferizaj përballet me mungesë të rrymës tash e sa javë, KOSTT bën ceremoni për inaugurimin e një nënstacioni

Ferizaj përballet me mungesë të rrymës tash e sa javë, KOSTT bën ceremoni për inaugurimin e një nënstacioni

Qytetarët e Ferizajt, qytetit të rëndësishëm në jug të vendit që tash e sa javë po përballet me mungesë të energjisë elektrike, do të shohin sot inaugurimin e një nënstacioni.

Pas ankesave të vazhdueshme të qytetarëve, KOSTT-i që e kishte arsyetuar ndërprejen e rrymës duke thënë se “ka një rritje të kërkesës për konsum të energjisë elektrike”, sot ka organizuar ceremoni solemne për inaugurimin e një nënstacioni në Ferizaj.

“Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës – KOSTT, ju fton të përcjellni ngjarjen- Ceremonia Solemne e Inaugurimit të Nënstacionit 110/35/10(20)kV Ferizaj 3-Kastriot”, thuhet në ftesën që KOSTT ua bën mediave dhe jo vetëm për ta përcjellur këtë ngjarje. Ceremonia do të mbahet në Zonën Industriale në orën 13:00.

Dimal Basha, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje që vjen nga kjo komunë, të cilit i është dashur të arsyetohet për mungesën e energjisë elektrike në qytetin e tij, publikoi sot ftesën e KOSTT-it për të marrë pjesë në “ceremoninë solemne” të inaugurimit të nënstacionit të ri.

“Pas investimeve që kanë fillu në vitin 2021, pritjes i erdhi fundi dhe sot në ora 13:00 do të bëhet përurimi i “Nënstacionit Ferizaj 3-Kastriot” nga KOSTT. Po kam frikë me besu që po rregullohet ky problem pas traumës që na ka shkaktu rryma këto javë! Shnet, e e gzofshim!”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Ndërsa Ferizaj dhe rajone të tjera të vendit u përballën me ndërprerje të energjisë elektrike, kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri kishte dalë në një konferencë për media për të thënë se rrjeti ishte mbingarkuar si rezultat i “zhvillimit ekonomik që ka ndodhur në vitet e fundit”.

Në të njëjtën linjë me Zeqirin, qytetarëve u ishte arsyetuar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Deklaratat e tyre kishin nxitur shumë reagime.