Ish-presidenti i Serbisë dhe lideri i Partisë Socialdemokrate, Boris Tadiq, ka deklaruar se kurrë nuk ka qenë pro idesë së ndarjes së Kosovës, duke pranuar se kanë qenë për ndarje në bazë të entiteteve, duke vlerësuar kështu që duhet rishikuar marrëveshja e Brukselit edhe pse sipas tij tani është një “gjë shumë e rrezikshme”.
“Mendoj se duhet rishikuar marrëveshja e Brukselit dhe se është një moment shumë i rëndësishëm, por tani një gjë e tillë krijon një situatë shumë të rrezikshme, pasi çdo marrëveshje ndërkombëtare që nënshkruhet është shumë e vështirë të rishikohet, pa pasoja për ata që e dëshirojnë këtë”, ka deklaruar Tadiq për Radio Televizionin e Vojvodinës, transmeton Telegrafi.
Ai tha se pozicioni i Serbisë në kuptimin ndërkombëtar nuk është më i mirë se që ka qenë dikur, pasi sipas tij mbështetësit e Serbisë sa i përket çështjes së Kosovës – “Kina dhe Rusia kanë pozicione të ndryshme”.
Ish-presidenti serb ka pranuar se kurrë nuk ka qenë për konflikt të ngrirë, pasi ka qenë pro kompromisit dhe një zgjedhje të drejtë, që do të jetë në interes edhe të palës shqiptare.
“Doja një zgjedhje. Nuk jam për pavarësinë e Kosovës. Plani im nënkuptonte që Serbia të ruaj sovranitetin në Kosovë dhe të mos ketë vend për Kosovën në Kombet e Bashkuara. Ky pozicion i imi vlen edhe sot, por të gjendet një zgjidhje që do të ishte edhe në interes të palës shqiptare”, ka shtuar Tadiq.