Burra, gra, pleq e të rinj marshuan të premten rrugëve të kryeqytetit të Kosovës, për të shënuar 8 Marsin. Edhe sivjet, aktiviste e aktivistë të kolektivit “Marshojmë s’festojmë” e shënuan “Ditën e Gruas” me protestë duke kërkuar barazi gjinore. Ata thanë që sot nuk festojnë sepse qytetarët në Kosovë dhunohen e poshtërohen çdo ditë nga patriarkati i institucionalizuar në të cilin jetojnë.
Bislim Morina kishte ardhur në Prishtinë sot, nga fshati Senovc i Rahovecit që të bashkohet me protestuesit, të cilët po kërkonin drejtësi gjinore dhe vlerësim të barabartë, raporton kosovapress.
61 vjeçarit i kishte vdekur e bija, Antigona, në vitin 2011, tre ditë pas martesës.
Sot Morina tha se nuk ka drejtësi për vajzën e tij, për të cilën u raportua se është vrarë nga burri i saj.
“E kam në zemër vajzën time në 2011, 29 vjeçare nuse e tre dite, ma ka mbyt burri. Nuk kam pas drejtësi në Kosovë, as prokurori, as gjyqësi, as polici që më ka përkrah e kanë lyp që të drejtën e saj me qitë në dritë”, tha ai.
Andaj ai sot i është bashkuar protestës për të drejtat e grave. Ai tha se nuk do të ndalet derisa të ketë drejtësi.
“Sot kam ardh vullnetarisht me iu bashkangjit këtyre motrave, nënave, çikave, sepse jam prind ,jam 61 vjeç, dhe nuk do të ndalem deri në fund me pas drejtësi si unë, si shoqja ime, si reja ime, si çika ime, mbarë populli shqiptar me pas drejtësi si femra si mashkulli, sepse femra është e pambrojtur, është e shtypur”, tha ai.
Qindra protestues në mes tyre aktivistë të shoqërisë civile, organizatave të ndryshme që mbrojnë të drejtat e njeriut, e qytetarë u mblodhën në mesditë në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë dhe marshuan drejt memorialit “Heroinat”.
Nën brohoritjet “Edhe ne e kemi ba shtetin”, ata vendosën një mbishkrim me të njëjtën fjali pranë memorialit.
Marshi vazhdoi edhe para stacionit të Policisë së Kosovës, nëpër rrugët kryesore për t’u ndalu pastaj para institucionit ligjvënës të Republikës së Kosovës.
Para Kuvendit të Kosovës, ata kërkuan të drejta në punë, pushim të lehonisë, pushim prindëror edhe për burra e jo veç për gra, kontrata të punës e sigurim shëndetësor.
Aktivistja Adelina Tërshani tha se sivjet kanë vendosur që të fokusohen në rastet e dhunës, meqë siç tha ajo është pare se po ndodhin edhe prej institucioneve që e kanë për detyrë të mbrojnë qytetarët.
“Historikisht gjithmonë i kemi adresuar problemet që gratë i hasin në tregun e punës, por këtë vit kemi vendosë që me i dhënë fokus të veçantë edhe dhunës që po ndodh ndaj grave dhe vajzave, dhe ngacmimeve seksuale qysh edhe e kemi pa po ndodhin edhe prej institucioneve që e kanë për detyrë me na mbrojt neve”, tha ajo.
Pjesë e protestës ishte edhe Shukri Retkoceri nga Ferizaj, një njeri i moshuar i cili tha se ka dalë të mbrojë të drejtat e grave.
“Për fat të keq sot, gruaja shqiptare malltretohet, rrahet, dhe vrahet. Gruaja është shtylla e shtëpisë, boll më dhuna ndaj gruar, boll më dhuna ndaj gruas, boll më dhuna ndaj gruas”, tha ai.
Në protestën “Marshojmë s’festojmë”, u kërkua trajtim i drejtë dhe i dinjitetshëm për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim gjinie, etnie, aftësie, moshe, vendbanimi, religjioni, gjuhe, orientimi seksual e identiteti gjinor.
Ata deklaruan se po i thonë jo seksiszmit, homofobisë, transfobisë dhe racizmit.