Ramiz Bardoniq, 82-vjeçar që vdiq sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kishte qenë tash e një kohë në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai kishte qenë me të meta mendore dhe pa vetëdije të duhur.
Avokati i tij, Teki Bokshi, në një bisedë telefonike për Gazetën Insajderi ka thënë se kishte bërë kërkesë tek gjykatësi që ta lironte nga paraburgimi duke e ditur gjendjen e tij të rëndë shëndetësore, mirëpo sipas Bokshit gjykatë nuk kishte marr parasysh kërkesën e tij, shkruan Insajderi.
“Ai ka qenë në gjendje katastrofave, ka qenë 82-vjet dhe ka qenë i bërë operacion në zemër, ka qenë komplet i pa vetëdijshëm dhe dje i është komplikuar gjendja shëndetësore, kam shkuar e kam lutur gjykatësin për ta ndërprerë paraburgimin, sepse faktikisht ai ka qenë një njeri që familja e ngushtë i ka ndejt te kryt tërë kohën sepse ka qenë i pa lëvizjshëm”, ka thënë Bokshi për Insajderin.
“Dje rreth orës 16:00 kam bërë një parashtresë ku i kam thënë se është në gjendje kritike, të vdes në shtëpi si paku mirëpo nuk ia ka ndi askujt”, ka treguar Bokshi.
Bardoniq ndodhej në paraburgim lidhur me akuzat për veprën penale keqpërdorim seksual. I dyshuari pritej që të ekstradohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi dyshohej se gjatë qëndrimit atje kishte kryer veprën penale mundësim apo detyrim në prostitucion dhe për drogë.
I njëjti pas një kërkese të SHBA‘së, që u përcoll nga INTERPOL-i, u arrestua në shtëpinë e tij, nën dyshimet për mundësim ose detyrim në prostitucion, blerje, posedim, shpërndarje apo shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Dyshimet janë se Bordoniqi kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1998, duke qëndruar aty në mënyrë ilegale, që nga janari i atij viti e deri në shtator të vitit 2001.
Për këto tre vite, ai dyshohet se e ka ndihmuar vëllain e tij për të zhvilluar një ndërmarrje të prostitucionit dhe narkotikëve në Fair Banks në Alaska.
82-vjeçari u arrestua në Gjakovë ditë më parë, derisa dje, Prokuroria Themelore e Gjakovës bëri kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
“Prokurori i rastit ka konsideruar se në bazë të Ligjit për Bashkëpunim Juridik dhe Ndërkombëtar në çështjet penale dhe në bazë të marrëveshjes mbi ekstradim në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe SHBA-së, janë plotësuar kushtet për ekstradim, prandaj ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 40 ditësh”, thuhet në njoftimin që ka lëshuar prokuroria përkatëse për këtë rast.
Ai ishte larguar nga Amerika pasi që dyshohet se ka kryer të gjitha këto vepra për të cilat është vënë edhe në kërkim ndërkombëtar.
Gjatë arrestimit i njëjti, ka kundërshtuar policinë që po kryente aksionin, duke thënë se për të gjitha veprat për të cilat dyshohet nuk ka qenë ai fajtor, mirëpo një shok e vëllai i tij.
Ai që disa vite është në pension, mirëpo, pas kthimit nga Amerika kishte punuar në Gjakovë në një biznes familjar si mekanik i makinave rrobaqepëse.