Milani është në një kaos të madh dhe pa dyshim trajneri Gattuso dhe drejtuesit e klubit do ta kishin shmangur me shumë kënaqësi këtë “modë” të re të dy viteve të fundit në Serinë A për të luajtur deri në finish të vitit diellor.
Gjithsesi, në selinë kuqezi të gjithë duan që të qëndrojnë të bashkuar dhe të vazhdojnë të punojnë, me shpresën që edhe ky projekt që ata kanë nisur sivjet, duke besuar deri në fund edhe te trajneri Gattuso, të mos rezultojë një tjetër flluskë sapuni. Problemet janë të shumta, por duke lënë mënjanë dy muajt e krizës që kanë kapluar Gonzalo Higuainin, emergjente duken afrimet në mesfushë, ku njerëzit janë me pikatore.
Ndërsa tratativa me Cesk Fabregasin vazhdon të mbetet e hapur, por me Chelsea që këmbëngul të ketë 10 milionë euro për kartonin e spanjollit, në skadencë kontrate verën e ardhshme, drejtuesit kuqezi po punojnë edhe për pistën Dankan, të Sasuolos, ku sigurisht që oferta do të jetë ajo e huazimit, me të drejtë blerjeje. Fakt është që një pengesë për Milanin është edhe procesi i UEFA-s, por sigurisht që afrime duhen bërë, ndaj “Djalli” do të provojë që të përdorë të gjitha “miqësitë” që ka për të përforcuar skuadrën me sa më pak parà të mundshme në merkaton e janarit, ku në listë janë edhe dy emra të rinj.
I pari është ai i Bazelit të Torinos, një mesfushor i stilit “Verrati”, që bën edhe organizatorin, por edhe shkatërruesin në qendër të mesfushës apo ai i belgut Veretu, i cili po tërheq gjithmonë e më shumë vëmendjen në radhët e Fiorentinës.
Por, ndërkohë, duke parë sesi Torino, ashtu sikurse edhe vjollcët janë në një betejë të fortë për kapjen dhe konfirmimin në zonën e Ligës së Europës, duket e vështirë që këto dy klube të heqin dorë nga dy prej titullarëve të tyre pa parë disa miliona euro në tavolinë, ndonëse Leonardo dhe Paolo Maldini nuk do të dorëzohen kurrsesi kaq lehtë.