Sezoni 2009-10, java e fundit e kampionatit zviceran, të gjithë i kishin sytë te Seydou Doumbia.
Basel-i kryesues vizitonte Young Boys të vendit të dytë, një barazim shpallte kampion Basel-in. Për Young Boys duhej patjetër fitorja, për të festuar titullin e parë pas 24 vitesh”thatësirë”.
Doumbia ishte shënuesi më i mirë i Young Boys dhe kampionatit, me 30 gola, rekord prej 1988, ndaj ishte shpresa e madhe e YB për lavdi.
Në Stade de Suisse Doumbia e nisi ndeshjen si sulmues i djathtë dhe përballë kishte një mbrojtës 18-vjeçar në sezonin e parë mes profesionistëve. Në letër, një duel aspak i barabartë, por Doumbia nuk e pa topin me sy atë mbrëmje.
Valentin Stocker shënoi në minutën e 39-të për Basel-in dhe Scott Chipperfield dyfishoi pas një ore lojë, ndërsa Doumbia luajti një ndeshje të dobët, duke ndryshuar edhe krah e duke shkuar në të majtë të sulmit. 2-0, Basel kampion, edhe kupa një javë më parë, ndërsa emri i lojtarit që fiku njeriun më të rrezikshëm të Young Boys ishte… Xherdan Shaqiri.
Thorsten Fink, trajner i Basel-it në atë kohë, kujton: “Shaqiri luajti kundër lojtarit më të mirë të kampionatit dhe e bëri të mos dukej fare. Xherdani mund të luante në çdo pozicion, edhe si mbrojtës i majtë luante shumë mirë. Mund të luante edhe si numër 10. Në fillim mendova se ishte mbrojtësi i majtë më i mirë që kisha parë, por ai dëshironte të luante në sulm”.
Nuk kaloi shumë dhe Shaqiri e braktisi pozicionin e mbrojtësit të majtë, duke u bërë vendimtar me lojën dhe golat e tij për titullin 2011 dhe titull-kupë në 2012.
Fink shihte një potencial të jashtëzakonshëm te Shaqiri dhe i kërkonte të punonte shumë te aspekti fizik dhe te loja pa top, transmeton telesporti.
“Shaqiri ka nevojë për një trajner që t’i japë besim të pakushtëzuar. Ashtu ai i vendos vetë ndeshjet. Në ndeshjet e mëdha, ai është vendimtar, i adhuron ndeshjet e mëdha. Nëse e motivon, Shaqiri fluturon për ty”.