Pierre-Emerick Aubameyang kaloi një mbrëmje për tu harruar në “Anfield”, teksa sulmuesi pa skuadrën e tij të turpërohej nga Liverpool.
Aubameyang arriti të prekë topin vetëm 13 herë gjatë të gjithë ndeshjes, me 6 prej këtyre kontakteve që u realizuan në momentin e rivënies së topit në lojë, një herë në fillim të takimit dhe në 5 raste pas golave të pësuar, në atë që ishte një mbrëmje e vetmuar për sulmuesin.
Statistikat e publikuara nga “Opta” dëshmuan se pjesa më e madhe e atyre 13 prekjeve të topit nga Aubameyang ndodhën pikërisht në rrethin e mesit të fushës, aty ku nis loja.
Fakte ndaj të cilave tifozët kanë reaguar në mënyrë të shfrenuar në rrjetet sociale duke ironizuar dhe tallur futbollistin. Fundi i makthit të Aubameyang erdhi 20 minuta nga përfundimi i takimit, kur trajneri Emery vendosi zëvendësimin e sulmuesit, kur në vend të tij u aktivizua në fushë Alexandre Lacazette.
Deri para përballjes me Liverpool, Aubameyang kishte shënuar 13 gola në 19 ndeshje, me tre prej të cilëve të realizuar në dy ndeshjet e fundit.