Ndërrimi i viteve në botën e futbollit sjell zyrtarisht dhe hapjen e tregut të dimrit.
Klubet kanë disa javë kohë në dispozicion, për të bërë afrime dhe largime, ndoshta më të kufizuara se ato të merkatos së verës.
Nëse presim që klube të rëndësishme të prezantojnë emrat e lojtarëve që ikin dhe afrohen, edhe për futbollistët e kombëtares shqiptare, ky dimër pritet të jetë i “nxehtë”.
Elseid Hysaj është emri më i lakur, i futbollistëve kuqezi, që pritet të ndryshojë destinacion gjatë muajit në vijim. Mbrojtësi i Napolit dhe kombëtares së Shqipërisë, pritet të bëhet pjesë e skuadrës së Çelsit në Angli, aty ku drejton ish-trajneri i Hysajt te Napoli, Maurizio Sarri. Ky i fundit e ka kërkuar me ngulm mbrojtësin e djathtë pasi ia njeh mirë cilësitë. Mirëpo klauzola që ka Hysaj në kontratë me Napolin, me këtë të fundit që kërkon 50 milion euro për kartonin e mbrojtësit shqiptar, e vështirëson jo pak transferimin. Gjithsesi në ditët në vijim pritet të ketë zhvillime të reja.
Mërgim Mavraj & Migjen Basha
Javët e fundit nuk po kalojnë aspak situatë pozitive, Mërgim Mavraj dhe Migjen Basha, tek Aris në kampionatin grek. Dy futbollistët e kombëtares shqiptare, por dhe lojtarë të tjerë të skuadrës greke, janë në qendër të kritikave për paraqitjet e dobëta të ekipit. Kështu, pak ditë më parë, drejtuesit e ekipit publikuan një listë me emrat e lojtarëve që pritet të largohen nga Arisi gjatë janarit, mes tyre ishin dhe dy futbollistët kuqezi. Gjithsesi ditët e fundit ka pasur një tërheqje të drejtuesve të skuadrës, të cilët kanë rinisur bisedimet me lojtarët. Por në kushtet ku ndodhet klubi, Mavraj e Basha, duhet të jenë me “gjak” të ngrirë deri në fund të merkatos.
Azdren Llullaku
Një tjetër emër i përfolur në merkato është dhe ai i Azdren Llullakut, sulmuesi i krahut të majtë që luan me Astran në Rumani. Futbollisti i kombëtares shqiptare po kalon një sezon të shkëlqyer, teksa ka gjetur disa herë rrugën e rrjetës dhe asistuar në gola të rëndësishëm me skuadrën e tij. Ndaj për Llullakun kanë mbrritur oferta, kryesisht nga Turqia, të cilat synojnë të afrojnë sulmuesin shqiptar. Alai është klubi i ligës së dytë në Turqi, që kërkon sulmuesin shqiptar, tek i cili sheh cilësitë e duhura për të përballuar pjesën tjetër të sezonit. Por vështirë se një ofertë e tillë do të pranohet nga sulmuesi, që luan në elitën e futbollit rumun.
Kristal Abazaj ka luajtur vetëm 20 minuta me Anderlecht, ndonëse po bën shtatë muaj që është transferuar te skuadra belge. Futbollisti i kombëtares shqiptare nuk arriti të përshtatet shpejt me ritmin e ekipit belg, teksa dëmtimet e penalizuan jo pak. Për këtë arsye, ndonëse është në planet e klubit për të ardhmen, Abazaj po mendon huazimin me qëllim që të arrijë formën e tij më të mirë. Kështu që në ditët në vijim pritet të ketë zhvillime të tjera për futbollistin kuqezi.
Sindrit Guri ka luajtur në disa ndeshje si titullar edhe në disa të tjera si zëvendësues me Ostende në Belgjikë. Por as sulmuesi i transferuar në verë nga Kukësi në kampionatin belg, nuk ka arritur të jetë në shkëlqimin e një sezoni më parë. Për këtë arsye ai mund të jetë pjesë e merkatos së largimeve të Ostende këto ditë, ndonëse asgjë zyrtare nuk ka në lidhje me futbollistin.
Berat Gjimshiti përfundoi verën e këtij viti huazimin te Benevento për tu rikthyer sërish tek Atalanta. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, ka pasur një sezon me ulje e ngritje deri më tani te klubi bergamez. Ai e nisi mirë në verë, teksa në disa ndeshje ishte titullar, ndërsa do të arrinte kulmin në ndeshjen ndaj Interit, ku shënoi një gol me kokë. Mirëpo në ndeshjen e parafundit të këtij viti, Gjimshiti do të shënonte një autogol në portën e Etrit Berishës, duke bërë që në ndeshjen pasardhëse të humbte dhe formacionin. Kjo e penalizon jo pak futbollistin e kombëtares, që është në pritje edhe të rinovimit të kontratës. Por me gjasë një gjë e tillë nuk pritet të ndodh, dhe gjatë ditëve në vijim qendërmbrojtësi i kombëtares mund të jetë në ankand.
Francesco Tahiraj
Një tjetër futbollist shqiptar, por që ende nuk është grumbulluar në kombëtare, është dhe Francesco Tahiraj, që luan me Aluminij në Slloveni. Sulmuesi i talentuar 22 vjeçar, që pritet ti bashkohet kombëtares gjatë muajit mars, po kalon një moment të shkëlqyer në karrierë, teksa deri më tani ka shënuar 9 gola dhe ka asistuar disa herë të tjera. Për këtë arsye ai është vënë në shënjestër të merkatos dhe pritet që në ditët në vijim të ndryshojë destiancion. Forma e tij e shkëlqyer ka tërhequr vëmendjen e klubeve elitare në Slloveni, por edhe jashtë saj.
Armando Sadiku është duke u stërvitur intensivisht pas dëmtimit që pati gjashtë muaj më parë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare po kap formën dita-ditës, ndërsa Levante kërkon ta huazojë diku për pjesën e mbetur të sezonit. Lugano, ish-skuadra e mëparshme e Sadikut, është klubi në fjalë që e pret krahëhapur futbollistin kuqezi. Ndonëse presidenti i klubit ia ka lënë në dorë Sadikut zgjedhjen, ky i fundit do të ishte i intersuar për pasur minuta në këmbë, dhe ku më mirë se sa te Lugano do e gjente këtë hapsirë! Ndaj në ditët në vijim Sadiku pritet të rikthehet në Zvicër, transmeton telesporti.
Jahmir Hyka është aktualisht pa ekip, teksa përfundoi kontratën me Earthquakes në SHBA, futbollisti i kombëtares është duke kërkuar një tjetër skuadër. Aktualisht mesfushori shqiptar është duke u stërvitur me ekipin e Tiranës, por ka përjashtuar mundësinë që të ribashkohet me skuadrën bardheblu. Por kjo mundësi nuk përjashtohet, që Hyka të rikthehet sërish në kryeqytet. Deri më tani nuk ka pasur oferta nga klube të huaja, pavarësisht formës së mirë të futbollistit. Nga ana tjetër Tiranës i intereson shumë një futbollsit me cilësitë e Hykës, që nëse do të pranonte të vishte fanellën bardheblu, do të ishte një goditje në merkato për 24 herë kampionët e vendit.