Ti nuk do të ecësh kurrë vetëm. Përpara çdo ndeshjeje të luajtur në “Anfield”, kënga legjendare e “Gerry dhe Pacemakers” pushton stadiumin e një prej klubeve më legjendare angleze dhe evropiane.
Dalëngadalë, Liverpool po hyn në vitin e 29 pa fituar titullin kampion në Angli, megjithatë, ky sezon mund të thuhet me plot gojë se është i duhuri. Suksesi 5 me 1 kundër Arsenal i konsolidoi akoma më shumë “The Reds” në vendin e parë të renditjes së Premier League, me Jurgen Klopp i cili ka transformuar skuadrën që kur ka marrë drejtimin e saj.
Nëse gjatë viteve të fundit, ku gjermani ka marrë drejtimin e ekipit, pika më e dobët ka qenë mbrojtja, sot mund të thuhet me plot gojë se prapavija është “burimi” i forcës së këtij Liverpooli.
Vetëm 8 gola të pësuar në kampionatin anglez në 20 takime, 16 në total gjatë gjithë sezonit në 27 ndeshje, numra të çmendur, por që i japin siguri tifozëve, dhe sigurisht Klopp. Pa harruar këtu edhe portierin Allison, i cili bën që 75 milionë paundët e shpenzuara për të, të mos ndjehen në asnjë çast.
Një mesfushë solide dhe kreative, me Fabinhon i cili duket se është përshtatur tashmë me grupin, por dhe lojtarë të tjerë si Wijnaldum, Keita apo kapiteni Henderson që nuk po zhgënjejnë me paraqitjet e tyre, duke e vendosur në vështirësi dhe trajnerin e tyre. Për sulmin, fjalët janë të tepërta. 28 gola dhe 11 assist në total gjatë këtij edicioni për Salah, Mane dhe Firmino.
Pa harruar edhe “jollyn” Xherdan Shaqiri, vendimtar në sfidën kundër United, por dhe me performancat e tij gjatë këtij sezoni, ku ka realizuar 6 gola dhe ka dhënë 2 assist.
Në ekip nuk ka as egoizëm, dhe ky mund të quhet padyshim një nga sukseset më të mëdha të Klopp. Mjafton veprimi i Salah në minutën e 65, duke ja lënë përsipër goditjen e 11-metërshit Firminos, në mënyrë që ky i fundit të mbyllte takimin me një tregolësh, transmeton SS.
Me këto ritme të jashtëzakonshme, Liverpool duket i pandalshëm, me 2019 që mund të jetë viti i duhur, për të kthyer më në fund titullin kampion në “Anfield”, me tifozët të cilët kanë të drejtën më të madhe, të ëndërrojnë…