Kosovari Donjet Shkodra nuk do të jetë më futbollist i Kukësit.
Mesfushori 29 vjeçar ka prishur marrëveshjen me skuadrën verilindore, pjesë e së cilës është prej dy sezonesh. Arsyeja kryesore është ana financiare.
Mesfushori duket se nuk ka arritur të gjejë akordin me drejtuesit e klubit për pretendimet financiare, çka ka detyruar palët të ndahen këtu mes tyre.
Sipas lajmit të bërë të ditur nga “Panoramasport”, Shkodra tashmë mund të cilësohet si futbollist i lirë, ndërkohë që Kukësi ende nuk ka zyrtarizuar këtë ndërprerje të kontratës.
Çështja financiare por dhe probleme të tjera mes futbollistit dhe klubit, u shfaqën dhe më herët gjatë verës, mirëpo në atë kohë gjithçka u mbyll, teksa futbollisti doli në stërvitje dhe nisi të luajë rregullisht.
Ndryshe, për shërbimet e mesfushorit kosovar, kanë shfaqur interes klube të tjera, mes tyre dhe Tirana, që interesohet për fantazistin.
Mirëpo nuk përjashtohet as mundësi që Shkodra të kthehet në Belgjikë apo Gjermani, dëshirë e kahershme e futbollistit, i cili dëshiron të jetë dhe pranë familjes.