Koulibaly tek Barcelona? Një transferim më se i mundshëm në rast se oferta për Napolin, për të cilën shkruan e përditshmja italiane “Il Mattino” do të konkretizohej. Pikërisht kështu pasi në lojë janë plot 120 milionë Euro.
Kjo është shifra që përflitet për këtë kalim të mbrojtësit nga Senegali tek klubi “blaugrana” në Katalunjë, që në rast se do të konkretizohej, do të ishte logjikisht një ofertë e pamundur për t’u refuzuar nga të kaltrit.
Me një shifër të tillë klubi italian do të kishte të shtuar mundësinë e financimit për investimet e së ardhmes në organikë. Sigurisht që klubi i De Laurentiis është duke menduar perspektivën me lëvizje që projektojnë emrat e disa lojtarëve, ndaj edhe pse do të ishte një largim i dhimbshëm, ai i senegalezit Koulibaly, për me tepër më këto shifra, do t’u jepte mundësi napolitanëve, të orientoheshin drejt emrave të mëdhenj që ofron merkatoja.
Gjithnjë nëse Barcelona është vërtet e gatshme të paguajë një shifër të tillë, e nëse ky lajm merkatoje do të rezultonte konkret, atëherë skuadra e Serisë A do të kishte mundësinë ta riinvestonte këtë shifër të arkëtuar në mënyrë efektive.