Analistët vlerësojnë se Ekipi Negociator i Kosovës në dialogun me Serbinë është i mangët dhe si i tillë mund të vihet në diskutim edhe në kontekstin e legjitimitetit për të arritur një marrëveshje të pranueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas analistëve, Ekipit Negociator i mungojnë ekspertë të lëmisë së caktuar dhe janë pa përvojë.
Analisti Ramush Tahiri, ka thënë për Telegrafin se Ekipi Negociator nuk është ekip ekspertësh po i përfaqësimit politik.
Sipas tij, ky ekip fatkeqësisht nuk ka arritur 2/3 e votave, në Kuvendin e Kosovës.
Siç tha tutje Tahiri, Ekipi Negociator nuk e ka certifikatën e sigurisë për informatat që i posedojnë, e cila parashihet dhe me ligj të Kosovës.
“Ata nuk dihet në cilin nivel kanë informata. Duhet të pajisen me certifikatë të sigurisë, kjo pasi mund të kenë informata që duhet të ruhen për shkak të shkallës së sigurisë”, ka thënë Tahiri
Tahiri shtoi se Ekipi Negociator nuk e plotëson asnjë kriter për rolin e marr.
“Sipas këtyre që po dëgjojmë, del që e Ekipi Negocitor është kryesori për ta përfaqësuar Kosovën në Bruksel për arritjen e një marrëveshje… Ekipi, sipas meje, mund t’i vazhdojë bisedimet teknike dhe në emër të qeverisë, por nuk mund të zhvillojë bisedime politike, sepse nuk e plotëson asnjë kriter. Nuk i siguron votat në Kuvendin e Kosovës, nuk e ka legjitimitetin adekuat, dhe nuk e ka ekspertizën. Nuk janë ekspert të lëmisë së caktuar, dhe as nuk kanë përvojë”, u shpreh ai.
Edhe politologu Musa Preteni, potencoi se Kosova gjendet momentalisht para një situate shumë të ndjeshme.
Preteni vlerësoi se në situatën në të cilën ndodhet Kosova, mund të rrezikohet seriozisht gjithë ajo që është ndërtuar për këto 20 vjet.
“Ekipi momental negociator konsideroj që është vetëm fillimi drejt një ekipi gjithëpërfshirës, ku secili duhet të japë maksimumin e tij për ndalimin e dështimit të asaj që kemi ndërtuar deri tani, sepse duke qenë jashtë kësaj askush nuk do të mund të arsyetohet për të keqen madhore dhe afatgjate që mund t’i ndodh Kosovës. Ekipi momental negociator është i mangët dhe si i tillë mund të vihet në diskutim edhe në kontekstin e legjitimitetit për të arritur një marrëveshje të pranueshme mes Kosovës dhe Serbisë, kur ia shtojmë kësaj edhe faktin që si i tillë është i pafuqishëm përballë presidentit të vendit që si duket ka krijuar një komoditet dhe stabilitetit negociator me presidentin serb. Andaj emergjenca e një ekipi gjithëpërfshirës vije edhe nga fakti që vetëm në këtë formë mund të ndalen ambiciet dhe marrëveshjet në heshtje mes dy presidentëve. Andaj është momenti që askush të mos ketë frikë nga përgjegjësia por të bëhen bashkë për të ndalur rrezikimin e shtetit të Kosovës”, ka thënë Preteni, për Telegrafin.
Ndryshe, takimi i parë i Ekipit Negociator për bisedime me Serbinë, i kryesuar nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, është mbajtur më 8 janar në Bruksel.
Në këtë takim ku të pranishëm ishin dhe anëtarët e tjerë u tregua përkushtimi i Kosovës për vazhdimin e dialogut.
Ndërsa, Mogherini kishte kërkuar nga Ekipi Negociator që të hiqet taksa 100% e vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjës.