Tottenham Hotspur dhe Manchester United përballen në Londër në ndeshjen më të rëndësishme të javës së 22-të në Premier League, në një sfidë tepër delikate për vetë ambiciet e këtyre dy klubeve në elitën e futbollit në ishull.
Të dy ekipet paraqiten në kryeqytet pas 4 fitoreve në 5 ndeshjet e fundit në kampionatin anglez, sidoqoftë “Spurs” për momentin vazhdojnë të rivalizojnë me dyshen e kreut Liverpool- Manchester City, ndërsa “Djajtë e Kuq” në krahun tjetër vijojnë të ndjekin me insistim zonën Champions.
“Gjelat e Londrës” zbresin të qetë dhe pa presion në fushën e lojës, sepse pavarësisht ngushtimit të distancës me dy skuadrat kryesuese që të gjithë janë të qartë, për diferencat që ka ekipi i Pochettinos me City-in dhe Liverpool-in në vazhdimësinë e rezultateve apo qoftë edhe përsa i përket lojtarëve të stolit, ndërsa në krahun tjetër për “Red Devils” ky është takimi i parë i rëndësishëm i kësaj periudhe, që pritet sigurisht të tregojë edhe forcën e vërtetë të United pas largimit të Jose Mourinhos.
Siç ndodh pothuajse gjithmonë pas çdo ndryshimi në drejtim skuadrat reagojnë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe në fakt pas shkarkimit të trajnerit të famshëm luzitan Manchester United siguroi shpejt e shpejt 5 fitore radhazi.
Timoni i është besuar përkohësisht një legjende të klubit si Ole Gunnar Solksjaer, që eksperiencën e vetme në Premiership e ka patur pesë vjet më parë me Cardiff City-n, përvojë që u mbyll shumë keq, pasi trajneri norvegjez u shkarkua me ceremoni pas rrëzimit të klubit uellsian në Championship. Duke lënë mënjanë takimin në FA Cup me Reading ku ndonëse fitoi me rezultatin 2-0 United u shfaq inferior në lojë kundrejt ekipit nga Championshipi në katër ndeshjet e tjera në kampionat “Red Devils” kanë luajtur shumë mirë, duke realizuar 14 gola gjithsej, megjithëse bëhet fjalë për ndeshje ndaj kundërshtarëve modestë si Cardiff City, Huddersfield Town, Bournemouth apo dhe Newcastle.
Befas me një kujdestar si Solskjaer në krye të ekipit në katër takimet e fundit në Premiership Paul Pogba krenohet me 4 gola dhe 3 asiste, sidoqoftë gjatë kësaj periudhe bie në sy motivimi apo dhe dëshira e madhe e lojtarëve të United për t’i bërë gjërat thjesht dhe për të luajtur në bllok si skuadër. Sikur të mos mjaftonte rebelimi i një pjesë të mirë të futbollistëve ndaj Mourinhos apo dhe sulmet e njëpasnjëshme në shtyp ndaj teknikut luzitan nga gazetarë e analistë të ndryshëm, ku nuk munguan gjithashtu as vërejtjet nga ish-futbollistët e famshëm të “Djajve të Kuq” në klub është rishfaqur Sir Alex Ferguson.
Trajneri portugez i ofroi shumë herë 77-vjeçarit skocez mundësinë për të bashkëpunuar, për më tepër me mundësinë për ta zgjedhur vetë rolin në klub, gjithsesi Fergie që nuk vuri këmbë në klub në harkun e 30 muajve tani shihet shpesh në qëndrën stërvitore në Carrington, madje vizita e tij e fundit u regjistrua pikërisht ditën e shtunë.
Sfida me Tottenhamin ngjan shumë si një audicion për trajnerin e ardhshëm të United për dy drejtuësit aktualë Pochettino dhe Solksjaer, sepse me metamorfozën që ka pësuar ekipi dhe bekimin e ish-sulmuesit norvegjez nga Alex Ferguson tani janë të shumtë tifozët që kërkojnë heroin e finales me Bayernin dy dekada më parë në drejtim edhe pas muajit maj, në një kohë kur dihet 46-vjeçari argjentinas vazhdon të mbetet kandidati kryesor për të marrë timonin në Old Trafford.
Pikërisht në “Teatrin e Ëndrrave” në fund të muajit gusht pavarësisht vuajtjeve në pjesën e parë “gjelat” e Pochettino-s fituan duelin ndërmjet tyre me tre gola të shënuar në pjesën e dytë, ndërkaq të martën në mbrëmje Spurs ndonëse u dominuan për pjesën më të madhe të kohës nga Chelsea i Sarrit ia dolën mbanë për të triumfuar 1-0 në gjysmëfinalen e vajtjes në Kupën e Ligës, me një 11-metërsh të akorduar në mënyrë tepër të diskutueshme, madje pas refuzimit absurd të kryesorit Michael Oliver për të shikuar me sistemin VAR pozicionin jashtë loje të sulmuesit Harrye Kane, transmeton SS.
Stadiumi i ri i “gjelave” pritet të çelë dyert në mesin e muajit mars, gjithsesi kjo konsiderohet edhe si mundësia e fundit për United për të lënë prapa Tottenham-in në zonën Champions, duke patur parasysh diferencën prej 10 pikësh në klasifikimin e përgjithshëm, ndërkaq nën drejtimin e Pochettinos “Spurs” kërkojnë fitoren e tretë radhazi në kampionat ndaj Manchester United, një ecuri që Tottenham-it i mungon që nga viti i largët 1960.