WBC (World Boxing Council) ka urdhëruar sot dy boksierët e peshës së rëndë Deontay Wilder e Tyson Fury që të nisin zyrtarisht negociatat për të zhvilluar revanshin. Sfida e parë zhvilluar më 2 dhjetor në Los Anxhelos u mbyll në barazim, ndaj WBC kërkon me çdo kusht të nxjerrë një fitues, i cili do të mbajë titullin kampion bote të kësaj kategorie. Të dy boksierët janë të pamposhtur në ring.
Wilder (41 fitore e 1 barazim) e mbrojti titullin e kategorisë WBC pas barazimit me Fury (27 fitore e 1 barazim), në atë që u konsiderua si sfida më e bukur dhe e ndjekur e peshës së rëndë në 15 vitet e fundit. WBC ka konfirmuar se dy boksierët kanë afat deri më 5 shkurt për të mbyllur marrëveshjen, nga e cila Wilder do të marrë 60% të fitimit dhe Fury 40%.