Presidenti i UFC-së, Dana White, ka deklaruar sot se ikona e arteve marciale mikse Conor McGregor do të duelojë ndaj cilitdo sportisti që do t’i vihet përballë, pavarësisht nga fama që ai ka.
Numri 1 i arteve marciale mikse pranon se McGregor synon revanshin ndaj Khabib Nurmagomedov pas humbjes në eventin UFC-229, por nëse kjo sfidë nuk arrihet është gati të pranojë çdo ofertë.
“Conor është nga ata që ka bërë shumë parà në sport dhe po bën shumë të tjera edhe nga biznesi i tij. Por ai është një sportist, i apasionuar pas UFC-së dhe çfarëdo dueli që ai të zhvillojë do të jetë fitimprurës për të”, tha Dana White.
Kjo deklaratë ka shijen e një “hapje krahu” nga ana e McGregor dhe se Nurmagomedov mund të duelojë ndaj Tony Ferguson për titullin kampion në peshën e lehtë.
“Unë dhe Conor komunikojmë rregullisht dhe ai ka pranuar se është gati të përballet me këdo në kafaz si dhe synon të rikthehet sërish kampion bote. Ai e do revanshin ndaj Khabib, por është gati të duelojë me këdo, kudo”, u shpreh më tej presidenti i UFC-së.
McGregor, ashtu si Khabib Nurmagomedov, pret të mësojë nga Komisioni i Sportit në Nevada vendimin pas incidentit që dy sportistët krijuan pas duelit mes tyre, në eventin UFC-229.