Loriana Kuka e ka fituar medaljen e argjendtë në turneun e madh të xhudos, Grand Prix, pasi u mposht nga Klara Apotekarin e Sllovakisë në finalen për të artën të shtunën në Tel Aviv, duke ia siguruar Kosovës megjithatë medaljen e dytë në përgjithësi nga ky turne, pas të artës që e fitoi Majlinda Kelmendi vetëm një ditë më parë.
Loriana e mund nga Klara Apotekar në kategorinë -78 kilogramë pas një lufte dërmuese në kohën shtesë, por e çoi në shtatë numrin e përgjithshëm të medaljeve të fituara në karrierën e saj, raporton Gazeta Express.
Pas katër minutave të rregullt pa fitues, lufta shkoi në kohë shtesë, ku fituese përcaktohej me golden score – garuesen që fiton pikë e para. Sllovakja u tregua më e qëndrueshme dhe e rrëzoi Kukën duke siguruar pikë që ia fitoi asaj medaljen e artë.
Megjithatë, Kuka u sigurua që Kosova të kthehet nga Izraeli me dy medalje nga dy garuese që morën pjesë në Grand Prix.
Ajo kaloi në rundin e dytë pa lojë, ndërsa në rundin e tretë e mposhti me ippon holandezen Ilona Lucassen, duke siguruar çerekfinalen.
Çerekfinalja doli të ishte më e vështirë për të, pasi përballë pati rusen Aleksandra Babinsteva, të cilën e mundi 1-0 me rezultat teknik.
21-vjeçarja e siguroi një vend në finalen e garës Grand Prix në Tel Aviv të Izraelit, si dhe të paktën medaljen e argjendtë, pasi e mposhti xhudisten angleze, Natalie Powell, në gjysmëfinale.
Në finalen e së shtunës pasdite, megjithatë u mposht nga sllovakja Klara Apotekar, por e siguroi medaljen e dytë për Kosovën brenda dy ditëve.
Kjo ishte medalja e dytë për Kosovën në dy ditë të garave në Izrael, sepse dje Majlinda Kelmendi ia doli ta fitojë garën në kategorinë -52 kilogramë.
Majlinda ishte e shkëlqyer duke i fituar me ippon të gjitha katër ndeshjet e zhvilluara të premten dhe mori medaljen e artë.
Të dy xhudistët kosovare sigurojnë edhe pikë olimpike nga ky turne, në rrugë për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike Verore Tokyo 2020.
Majlinda e ka siguruar numrin maksimal të pikëve, 700, ndërsa Loriana 490.