Napoli ka bërë një hap prapa në luftë edhe ashtu të vështirë për titull të kampionit në Serie A, pasi u ndal me një barazim pa gola nga Milani të shtunën në San Siro.
Skuadra e Carlo Anchelottit, që në ndeshjen e parë të këtij sezoni në Sao Paolo e kishte arritur një fitore me rikthim dramatik 3-2, nuk arriti t’i konkretizojë rastet e shumta për ta mposhtur Gianluigi Donnarumman gjatë 90 minutave, raporton Gazeta Express.
Barazimi 0-0 me Milanin nënkupton që Napoli tani grumbullon 48 pikë në vendin e dytë, tetë më pak se lideri Juventusi, që të dielën i shkon Lazios në ndeshjen e kësaj jave në ligën elitare italiane.
Vizitorët nga Napoli kanë mundur ta thyenin akullin qysh në hapje të këtij takimi, por goditja me vollei e Jsoe Callejonit u ndal nga një pritje mahnitëse e Donnarummas.
Kuqezinjtë rastin më të mirë në pjesën e parë e patën me Patrick Cutronen, i cili godi nga afërsia po vetëm pranë shtyllës së majtë.
Njëzet minuta para fundit, Gennaro Gattuso, i dha mundësinë Krzysztof Piatekut të debutojë në fanellën e Milanit pas transferimit nga Genoa në këtë afat kalimtar.
Napoli i erdhi më rrotull golit, pasi pati më shumë raste se vendasit. Rasti më i mirë në ndeshje ishte për Piotr Zielinski, i cili megjithatë dështoi të shënojë nga brendësia e zonës pasi u harrua i vetëm pesë minuta para fundit të takimit.
Napoli tani ka tetë pikë më pak se lideri Juventus dhe tetë më shumë se përcjellesi i tij i parë, Interi, të cilat kanë nga një ndeshje më pak të zhvilluar.
Milani, ndërkohë, ruan pozitën e katërt me 35 pikë, por e cila i rrezikohet nga Roma që ka 33 pikë dhe një ndeshje me pak të zhvilluar, të cilën do ta luajë të dielën ndaj Atalantës.