Trajneri i Real Madridit, Santiago Solari e ka vlerësuar si lojtar fantastik uellsianin Gareth Bale, por të cilit nuk i ka garantuar një vend titullari në skuadrën e tij derisa ai po përgatitet për t’u rikthyer nga lëndimi.
Përfaqësuesi i Uellsit është momentalisht duke u përgatitur për t’u kthyer në fushën e lojës pas një periudhe rikuperimi nga lëndimi më i fundit.
Bale ka munguar që prej ndeshjes ndaj Villarrealit më 3 janar, kur u bart jashtë fushës pas një lëndimi që e pësoi në pjesën e parë.
29-vjeçari ka munguar në gjashtë ndeshjes që prej atëherë.
Madridi, megjithatë, ende shpreson se ai mund të ofrojë frymëzim në sulmin e skuadrës këtë sezon, pasi nga Bale pritet më shumë sidomos pas largimit të Cristiano Ronaldos.
Por, Solari ende nuk ka vendosur se kë ta thërrasë për ndeshjen e La Ligës ndaj Espanyolit të dielën. Ai u pyet nga gazetarët para ndeshjes nëse do ta ftojë 29-vjeçarin.
“Qëllimi i futbollit është gjithmonë ndeshja e radhës”, tha ai.
“Shohim se kush luan nesër, pastaj në javën pasuese. Lojtarët që janë duke u riaftësuar i duam 100% të gatshëm sa më parë. Gareth Bale është lojtar shumë i rëndësishëm për ne, lojtar fantastik, dhe jemi të lumtur që është rikthyer në mesin tanë”, shtoi ai.
Bale ka bërë 23 paraqitje këtë sezon duke shënuar 10 gola.