“Nëse tarifat e Prishtinës vazhdojnë, dëmi do të jetë edhe më i madh”.
Ministri serb i Tregtisë, Rasim Ljajiq ka thënë se nëse taksa ndaj mallrave të Serbisë nuk hiqet atëherë dëmi do të jetë shumë i madh.
Gjatë ditës së sotme, ai i ka thënë RTS-së se është e vështirë të parashikohet kur do të shfuqizohet taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, përcjell lajmi.net.
“Është e qartë se autoritetet e Kosovës janë nën një presion të madh nga ekonomia e vendit dhe bashkësia ndërkombëtare, por është e vështirë të parashikohet se kur do të shfuqizohet taksa”, është shprehur Ljajiq.
Ai ka thënë se dëmi i deritanishëm është 66.2 milionë euro por ka paralajmëruar se dëmi do të jetë edhe më i madh nëse taksa mbetet afatgjate.
Ljajiq ka theksuar se ndryshimet dramatike janë regjistruar në dhjetor kur është krahasuar i njëjti muaj me vitin 2017 kur mallrat nga Serbia përbënin 15.7 për qind të importeve në Kosovë ndërsa një muaj më parë vetëm 1.7 për qind.
“Në dhjetor të vitit 2017 hyrën mallra në vlerë të 46 milionë eurove ndërsa muajin që shkoi 5.7 milionë”, ka thënë Ljajiq.
Sipas tij, është e rëndësishme që tatimi të hiqet sa më shpejt që të jetë e mundur pasi më vonë heqja nuk do të ketë efekt ekonomik dhe të tjerët do të zënë tregun.