Gjykata në Kroaci ka vendosur t’i tërheqë akuzat për dëshmi të rrejshme ndaj yllit të Liverpoolit dhe Kroacisë, Dejan Lovren.
Qendërmbrojtësi u akuzua se kishte dhënë dëshmi të rrejshme në një gjykim ndaj ish-drejtorit të Dinamo Zagrebit, Zdravko Mamic, në shtator të vitit 2017, por gjykata në Zagreb i ka tërhequr akuzat ndaj tij të hënën.
Mamic u dënua me gjashtë vite e gjysmë burg për korrupsion në qershor të vitit të kaluar, pasi gjykata tha se ai kishte bërë përfitime të jashtëligjshme nga transferimi i lojtarëve.
Lovren ka këmbëngulur në pafajësinë e tij gjatë gjithë rastit, duke e publikuar një deklaratë në rrjetet sociale kur ishte akuzuar.
“Dua t’jua them këtë të gjithëve, veçanërisht familjes, miqve dhe përkrahësve të mi në atdheun tim dhe tifozëve të klubit tim në Angli, unë jam i pafajshëm”, pati postuar Lovren në Instagram.
“Nuk kam kryer asnjë krim. Jam krenar me familjen, me çdo hap në jetën time dhe me gjithçka që unë dhe familja ime kemi krijuar. Askush nuk mund ta njollosë këtë. As mediat, as njerëzit keqdashës, askush”, pati shkruar ai.