Fjalë Kyçe

Pësoi dy humbje, por Kosova beson ende në kualifikim

Pësoi dy humbje, por Kosova beson ende në kualifikim

Përfaqësuesja e Kosovës i ka pësuar dy humbje në fazën parakualifikuese të Eurobasket 2021. Megjithatë, “Dardanët” besojnë ende se mund të kalojnë në fazën kualifikuese të kësaj gare

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll nuk e ka nisur aspak mirë fazën parakualifikuese të Eurobasket 2021, shkruan Gazeta Express.

“Dardanët” i pësuan dy humbje, fillimisht nga Luksemburgu në udhëtim e mbrëmë edhe nga Britania e Madhe në shtëpi, në ndeshjen e zhvilluar në Palestrën e Sporteve “Minatori” në Mitrovicë.

Megjithatë, ky fakt nuk i pengon Verdhekaltrit të shpresojnë dhe besojnë ende në kualifikim.

Ata do të synojnë t’i fitojnë dy takimet e ardhshme, në tentim për të përfunduar në pozitën e parë në grup, në mënyrë që të shkojnë në fazën kualifikuese.

Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e ardhshme më 14 gusht kundër Luksemburgut në shtëpi, ndërsa duelin e fundit të kësaj faze do ta zhvillojnë në udhëtim me Britaninë e Madhe.

Dorën në zemër, gjasat e ekipit të Damir Mulaomeroviqit për t’u kualifikuar janë zbehur, por Dardan Berisha me shokë do ta japin edhe atomin e fundit për ta arritur këtë në dy ndeshjet vendimtare.

Në rast të një humbjeje eventuale nga Luksemburgu në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, Kosova do t’i thoshte lamtumirë kualifikimit në fazën tjetër.