Manchester City e ka zbritur Liverpoolin nga pozita e parë në Premierligë, pasi e ka mposhtur Evertonin 2-0 të mërkurën në Merseyside.
Aymeric Laporte dhe Gabriel Jesus ia siguruan Manchester Cityt tri pikë me golin e tij ndaj Evertonit, të cilat i ndihmojnë skuadrës së Pep Guardiolës të kalojë në vendin e parë në Premierligë në pikë të barabarta me Liverpoolin, i cili ndeshjen e vlefshme për xhiron e 26-të do ta zhvillojë të shtunën kundër Huddersfieldit, raporton Gazeta Express.
Kampioni në fuqi ishte dominues ndaj skuadrës vendase duke e kontrolluar lojën dhe krijuar shumë më shumë raste.
Nga 14 goditje në drejtim të portës së Evertonit, City e qëlloi vetëm tri herë kornizën e portës. Nga këto tri goditje, dy përfunduan në rrjetën e portës së Jordan Pickfordit.
Laporte shënoi gol të bukur me kokë në minutën e fund të kohës shtesë në pjesën e parë, si dhe Jesus në fund të takimit, duke e bërë edhe më të komplikuar luftën për titull në Premierligë.
City tani grumbullon 62 pikë në vendin e parë, aq sa ka edhe Liverpooli, që ndeshjen e kësaj jave e zhvillon të shtunën, kur edhe ka rastin ta kthejë epërsinë prej tri pikëve në vendin e parë.
Evertoni, ndërkohë, mbetet në vendin e nëntë me 33 pikë.