Ligji për Paga i miratuar në seancën e së shtunës në Kuvendin e Kosovës ka ngjallur pakënaqësi të shumë sektorëve publik, por të diskriminuar dhe të shqetësuar janë edhe sektori privat.
Kjo, për shkak se pavarësisht që është arritur marrëveshja mes Këshillit Ekonomik Social (KES), punëmarrësve dhe Qeverisë që paga minimale në sektorin privat të jetë 250 euro, një gjë e tillë nuk është vendosur asnjëherë në rend dite për t’u aprovuar shkruan Gazeta Alo.
E, nëse nuk aprovohet në Kuvend kjo marrëveshje atëherë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), nuk përjashton edhe veprimet sindikale.
Kështu, ka thënë për Gazetën Alo, Leonora Lokaj, nënkryetare e BSPK-së.
Ajo ka thënë se shqetësuese për BSPK-në, mbetet fakti se kanë kaluar tetë vjet dhe paga minimale në Kosovë në sektorin privat nuk ka ndryshuar e që sillet prej 130- 170 euro.
Sipas Lokajt, është krijuar në diskrepancë e madhe mes sektorit publik dhe atij privat.
“Padyshim që mos rritja e pagës minimale ka shkaktuar një pakënaqësi të madhe të punëtorët, sidomos të punëtoret e sektorit privat dhe një situatë e tillë e krijuar në vend nuk është ndonjë indikator i rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe as stimulues që këta punëtorë të punojnë gjatë brenda një vendpunimi dhe as të kërkojnë punë brenda vendit, ngase moskujdesi i shtetit për punëtoret e sektorit privatja i prek të gjitha fushat e marrëdhënies së punës dhe është dukshëm i dallueshëm me sektorin publik sa i përket orarit, pushimeve, mbrojtjes dhe sigurisë në punë, pagave etj. Pra, është krijuar një diskrepancë e madhe mes sektorit privat dhe publik’, ka thënë ajo për Gazetën Alo.
Lokaj, ka deklaruar se punëtorët e sektorit privat edhe pse janë kontribues të këtij shteti, po vazhdojnë të mbesin të anashkaluar sa i përket avancimit të të drejtave të tyre në nivel vendi.
Ndërsa, e pyetur rreth asaj se cilat do të jenë veprimet që do t’i ndërmerr BSPK-ja për sektorin privat, kur dihet që miratimi i Ligjit për Paga ka rritur pagat në shumë sektorë publik, Lokaj ka deklaruar se do të bëjnë të pamundurën që paga minimale në vend të rritet.
“Edhe sektori privat është i përfaqësuar në BSPK me disa sindikata, të cilët konfederata është munduar t’i mbështesë maksimalisht, dhe ky sektor është një ndër prioritete e BSPK-së dhe si konfederatë e vetme sindikale në vend, do ta bëjmë të pamundurën që të ndikojmë në rritjen e pagës minimale, e cila besojmë se është e një rëndësie të veçantë për punëtoret e sektorit privat, ashtu siç do të përpiqemi maksimalisht që të ndikojmë ne krijimin e një ambient më të mirë dhe më të siguritë të punës edhe për punëtorët e sektorit privat”, ka thënë ajo.
Menjëherë pas miratimit të Ligjit për Paga, Partia Socialdemokrate ka kërkuar interpelancë nga kryeministri, Ramush Haradinaj për pagën minimale në vend, duke thënë se paga minimale është pragu nën të cilën nuk mund të paguhet askush.
E, ndaj kësaj kërkese nënkryetarja Lokaj, ka pasur një përgjigje.
“Pa dashur të presupozojmë lidhur me mbarëvajtjen e kësaj seance, besojmë se organet kompetente shtetërore të vendit është dashur të paktën vitin e kaluar që propozimin e KES ta finalizojmë dhe sot ta kishim një pagë minimale të aplikueshme në vlerën prej 250 euro. Kjo është sfida e radhës e BSPK-së që duhet punohet shumë duke shfrytëzuar të gjithë energjinë në zhvillimin e dialogimit e nëse do të jetë nevoja edhe përmes intensifikimit të formave të presionit sindikal që paga minimale në nivel vendi të rritet”, ka deklaruar ajo për Gazetën Alo.
Kosova krahasuar me vendet e rajonit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka pagën minimale më të ulëtën në rajon.