Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka nisur sonte seancën e rregullt në New York mbi raportin e punës së UNMIK-ut për periudhën 16 tetor 2018 deri më 15 janar 2019, të cilin e prezantoi shefi i këtij misioni, Zahir Tanin.
Deri te seanca erdhi pas kundërshtimit të mprehtë të disa vendeve perëndimore dhe vendimit të Kosovës për të ndërprerë komunikimin me UNMIK-un, në shenjë pakënaqësie me letrat e dërguara nga ana e këtij misioni në Kombet e Bashkuara.
Në raport thuhet se sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres shfaq brengosjen për kundërshtimet e ashpra mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe sheh kërcënim për sigurinë në terren, sidomos në veri të Kosovës.
Me këtë rast iu bëhet thirrje liderëve të dyja palëve që të zbusin qëndrimet për krijimin e kushteve për vazhdimin e dialogut dhe normalizimin e raporteve.
“Është me rëndësi që liderët e të dyja palëve t’i shmangen veprimeve që mund të shtojnë tensionet, të tërhiqen nga vendimet e tilla dhe të gjejnë mënyra për zhvillimin e dialogut nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian, me synim të normalizimit të raporteve”, tha Tanin.
Ai ka ftuar liderët e të dyja palëve që ta transformojnë dinamikën kundërshtare në dinamikë të zgjidhjes së problemeve.
“Para kësaj është e rëndësishme të lëvizin nga pozicionet e tanishme dhe të shfaqin gatishmëri për marrëveshje, duke punuar në tejkalimin e pengesave dhe krijimin e kushteve të nevojshme për vazhdimin e dialogut. Prishtina ka vënë kushte për heqjen e taksës. Qasjet progresive janë esenciale për nisjen e negociatave politike. Duhet bërë më shumë për arritjen e marrëveshjes mesa palëve dhe kjo kërkon përkrahje nga një numër i madh i akterëve, duke përfshirë pjesëmarrjen e grave në dialog”, tha Tanin.
Ai po ashtu ka shfaqur brengosjen për kalimin e projektligjit për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, derisa zhvillimet e fundit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi tha se kanë komplikuar përpjekjet për kompromis.
Tanin ka theksuar se në raport Guterres ka përmendur edhe vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, që sipas tij erdhi pas përpjekjeve të Beogradit për dobësimin e integrimit ndërkombëtar të Kosovës, duke marrë shembullin e aplikimit të pasuksesshëm në Interpol.
Shefi i UNMIK-ut ka folur edhe për rreth çështjes së të pagjeturve, duke thënë se ka përparim, por duhet të bëhet më shumë në këtë drejtim.
Ndryshe, mbajtja e seancës së Këshillit të Sigurimit mbi Kosovën ishte deri në momentin e fundit në pikëpyetje, pasi disa vende perëndimore e kundërshtuan praktikën e diskutimit të kësaj çështjeje katër herë në vit.
Britania e Madhe kërkoi që Kosova të hiqet përgjithmonë nga rendi i ditës, ndërsa SHBA beson se seancat duhet të mbahen dy herë në vit.
Kundër debatit rreth situatës në Kosovë është edhe Franca, ndërsa Rusia dhe Kina nuk e mbështesin këtë nismë.