Ani pse e konsideron veprim të mirë formimin e ekipit negociator për bisedimet me Serbinë, kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Nexhat Daci thotë që në pamje optike ky dialogim nuk është i pëlqyeshëm dhe duket sikur në “kohën e fiseve”.
Sipas tij, e meta më e madhe në ketë proces është mungesa e LDK-së në dialog.
Në një intervistë për KosovaPress, Daci flet edhe për idenë e korrigjimit të kufijve, që sipas tij, tani duhet të shfrytëzohet momentumi për t’ia bashkuar Kosovës Luginën, në të kundërtën, mund të mos ketë më një shansë të dytë.
Si fenomen, formimin e ekipit negociator për bisedime me Serbinë, të votuar nga Kuvendi i Kosovës, Nexhat Daci e vlerëson pozitivisht. Por jo edhe në dukje. Ai thotë se për çështje të tilla, numri i pjesëmarrësve duhet studiuar mirë.
“Bindja ime e thellë është që procesi si tentim ka filluar mirë, me një ekip, por mendoj që në pamje optike nuk është i pëlqyeshëm ky dialogim, duket sikur që jemi në kohën e fiseve. Në konferencat shkencore dhe të paqes. Politike gjithmonë numri është i studiuar shumë mirë dhe do të thoja që është krejtësisht e panevojshme me një numër aq të madh. E di që qëllimet kanë qenë të mira që të përfaqësohen të gjitha partitë politike, por ndonjëherë shteti është mbi partitë politike dhe interesi për shtetin duhet të jetë po ashtu mbi partitë politike”, thotë ai.
Por Daci sugjeron LDK-në të jetë pjesë e grupit për dialog. Madje, sipas tij, LDK do të duhej edhe t’i printe një procesi të tillë.
“E meta më e madhe e procesit në këtë fazë është mungesa e LDK-së që është paarsye ekzistenciale e LDK-së si partia më e vjetër, si partia më e madhe. Gjithmonë LDK ka qenë prijëse e proceseve në shtet-ndërtim. Mos të harrojmë se edhe në Rambuje, në Paris, LDK ka shkuar me njerëzit më të fuqishëm, me presidentin Rugova dhe akademik Fehmi Agani dhe nuk kanë qenë kryesorët, nuk e kanë bojkotuar. Nuk është në natyrën e filozofisë politike rugovizmit, me bojkotu diçka, por me qenë në prirje të proceseve dhe me dhënë kontributin e vet. Sugjerimi im do të ishte, edhe pse është vonë për gjithçka, LDK do të duhej të ishte në atë grup dhe për shkak të përvojës dhe traditës që ka, ndoshta edhe t’i printe atij procesi”, thotë ai.
Për KosovaPress, ish kryetari i Kuvendit të Kosovës ka folur edhe për idenë e korrigjimit të kufijve. Sipas tij, është keqkuptuar në tërësi, meqë nuk mund të ketë shkëmbim territoresh. Por Daci thotë se një ditë duhet edhe gjeografikisht të vendosen vijat me Serbinë.
Ai thotë se Lugina duhet t’i bashkohet Kosovës dhe kjo është një mundësi tani, që mund të mos jetë më vonë.
“Preferoj të jem i bindur që të tre këta persona janë të vetëdijshëm për momentin historik, dhe a do të ketë edhe një shansë ndonjëherë, nuk e besoj. E kuptoj që për herë të parë në historinë shqiptare, Kosova e fiton një momentum që një pjesë e territoreve të grabitura nga pushtuesit, t’i kthehet shtratit amë. E them vetëm si një mendim timin në bazë të përvojës që e kam pasur si kryetar parlamenti, si njohës i rrethanave, tani edhe si kryetar i akademisë, i cili nuk ka asnjë aspiratë për diçka tjetër, pos me qenë në rolin e këshilldhënies nëse kërkohet nga akademia. Bindja ime e thellë është, o tani o do të jetë gjithmonë me telashe, që unë them tumor kanceroz do të ketë në hartën e dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë”, thotë ai.
Këto thotë ai, janë mendime të akademisë dhe protagonistët në proceset e shtetësisë së Kosovës, i pranojnë ose jo.