Flamurtari humbet një tjetër gjyq me ish-lojtarë dhe drejtues të vetët. Klubi vlonjat duket se duhet të paguajë dy skuadra njëherësh, atë që luan aktualisht, por edhe një tjetër, që tashmë nuk ekziston në fushë, por në detyrime po.
Ditën e djeshme u mor vesh se Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF i detyron kuqezinjtë bregdetarë t’i shlyejnë ish-trajnerit Ernest Gjoka edhe 26 mijë euro, pas 45 mijë eurove të mëhershme, ndërsa një tjetër “faturë” ka dalë në këtë drejtim.
DHZK në FSHF i ka dhënë të drejtë ish-futbollistit të skuadrës vlonjate, Haxhi Neziraj, i cili duhet të shlyhet me 15 mijë euro, shumë e njohur si e pamarrë nga Flamurtari, në bazë të kontratës. Kosovari luajti me bregdetarët në sezonin 2017-2018 dhe u largua drejt Dritës së Gjilanit.
Në fillim u tha se palët u ndanë me mirëkuptim, por mesfushori me tipare sulmuese u ankua në FSHF dhe kjo e fundit i ka dhënë të drejtë. Për pasojë, Sinan Idrizi duhet t’i shkundë sërish xhepat, për të paguar ish-futbollistin e radhës.