Analisti i njohur dhe ish-diplomati amerikan Daniel Serwer ka publikuar një analizë rreth platformës së palës kosovare për bisedimet me Serbinë. Platforma i është dorëzuar Kryeparlamentarit Kadri Veseli 3 ditë ma parë nga dy Bashkëkryesuesit e ekipit të delegacionit shtetëror të Kosovës për dialog me Serbinë, Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, ia kanë dorëzuar sot kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, platformën për bisedime me Serbinë.
Serwer ka publikuar pikat e mira dhe pikat e këqija të kësaj platforme duke thënë ajo që mungon ka të bëjë me mungesën e qartësisë për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe bllokadën që mund ta bëjnë Kina dhe Rusia.
Më poshtë mund ta lexoni të plotë shkrimin e Serwer:
Ju lumtë, por Kosova mund të presë
Në prag të njëmbëdhjetëvjetorit të pavarësisë së vet, Kosova e publikoi dokumentin “Platforma për dialogun lidhur me marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”. Ka shumë gjëra për t’u pëlqyer në këtë dokument, duke përfshirë:
1. Përcaktimin e qartë të qëllimit të Kosovës në bisedime, i cili nuk është plotësuar deri tash: Njohja e Kosovës nga Serbia si shtet sovran dhe i pavarur.
2. Sigurimin e vlefshmërisë së kushtetutës së Kosovës për tërësinë territoriale dhe kundërshtimin e hapur ndaj dhurimit të pjesëve të territorit të saj.
3. Reciprocitetin: Shqiptarët që jetojnë në Serbi të trajtohen njësoj si serbët që jetojnë në Kosovë dhe krimet e luftës që janë kryer nga serbët të trajtohen njësoj si krimet e kryera nga shqiptarët, përfshirë tribunalin special.
4. Refuzimin për të krijuar shtresa qeverisëse mes qeverisë qendrore dhe komunave (çfarëdo asociacioni të komunave serbe me autoritet apo përgjegjësi qeverisëse).
5. Miratimin e marrëveshjes përfundimtare përmes referendumit dhe parlamentit në Kosovë dhe Serbi.
6. Dispozitat për transparencë, gjithëpërfshirje dhe qasje të ekipit shtetëror të negociatave.
7. Zgjidhjen e çështjeve të luftës (përfshirë personat e zhdukur, kthimin e personave të zhvendosur, kthimin e pronave, dëmshpërblimet, ndarjen e borxhit, etj.).
8. Përfundimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe miratimin e marrëveshjes përfundimtare në Këshill të Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme.
9. Kushtëzimin e progresit për pranim në Bashkimin Evropian me zbatimin e marrëveshjes përfundimtare.
Të gjitha këto janë të mira. Pra, çfarë po mungon?
Dy gjëra:
1. Qartësia për atë se si dhe kur do të bëhet anëtarësimi në Kombet e Bashkuara. Kjo çështje mund të jetë implicite në raport me miratimin e marrëveshjes nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por duhet të bëhet eksplicite para se të përfundojnë bisedimet. Fuqitë që e kanë kontrollin janë Kina dhe Rusia. Si do të binden këto shtete që ta lejojnë hyrjen e një province të ndarë në Kombet e Bashkuara? Kinës nuk do t’i pëlqejë kjo për shkak të Tibetit. Rusisë mund t’i pëlqejë, por do ta dëshirojë një shpërblim të njëjtë për Krimean dhe ndoshta edhe për Osetinë Jugore, Abhkazinë dhe Transnistrinë.
2. Ndonjë informatë për atë që do ta fitojë Serbia nga kjo marrëveshje. Nuk është në përgjegjësinë e Prishtinës që të brengoset për këtë çështje në rend të parë, por duhet të brengoset për të kur të vjen koha. Do të ishte e dobishme që edhe Serbia ta publikojë një platformë të ngjashme. Asnjëherë nuk ka qenë e qartë se çfarë dëshiron Beogradi nga bisedimet me Prishtinën, përpos që ta bindin Uashingtonin dhe Brukselin se Serbia ka vullnet për bisedime. Kjo gjë ka vlerë, sidomos për shkak se është bërë në baza të barabarta, gjë që tërthorazi dëshmon se Kosova ka një strukturë qeverisëse legjitime dhe të pavarur (e cila tashmë njihet edhe në “Marrëveshjen e Brukselit”, të arritur në prill të vitit 2013).
Sigurisht që ka qenë e dukshme se Beogradi dëshiron edhe territor, veçanërisht komunat me shumicë serbe në veri të lumit Ibër. Sidoqoftë, në platformë kërkohet qartazi njohje e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës sipas kufijve ekzistues.
Ekzistojnë disa çështje tërheqëse që mund të jenë të vlefshme për Serbinë: përbërja dhe kapacitetet e ushtrisë së Kosovës, kompetencat e Asociacionit të Komunave Serbe (përjashtuar kompetencat qeverisëse) dhe pranimin e pjesës së borxhit të Jugosllavisë nga Kosova (të përmendur në platformë).
Megjithatë, unë dyshoj se këto tema do të jenë të mjaftueshme për ta sjellë një marrëveshje të hershme. Ka më shumë gjasa që Serbia nuk do të angazhohet seriozisht deri në kohën kur dështimi për ta arritur marrëveshjen t’ia ngadalësojë përparimin drejt integrimit në BE. Më pas do të jetë shumë vonë. E tërë përparësia në fund të procesit të pranimit në BE varet nga shtetet anëtare, të cilat duhet ta ratifikojnë pranimin, e jo nga vendi kandidat.
Një shtet ka marrë guximin që ta thotë atë që e kemi ditur para disa vjetëve, por që askush nuk ka dashur ta thotë haptazi. Para dhjetë ditësh, në Këshillin e Sigurimit, përfaqësuesi gjerman, Christoph Heusgen, tha troç përmes një deklarate: “Mënyra e vetme që Serbia të hyjë në Bashkimin Evropian do të jetë përmes dialogut të suksesshëm për normalizim dhe me njohjen e Kosovës”.
Beogradi do të tregohej i zgjuar nëse do ta fillonte procesin e njohjes sa më shpejt, ndërsa ende mund të shpresojë që do të marrë diçka në këmbim të njohjes së Kosovës. Pas qartësimit të pozicionit të saj, Prishtina mund të presë sepse pranimi i saj në BE është në një të ardhme shumë më të largët.