Gjuha franceze është bërë më e popullarizuar në 50 vitet e fundit, derisa më pak zviceranë flasin gjuhën gjermane. Kjo lidhet me migrimin.
Pothuajse dy të tretat e njerëzve që jetojnë në Zvicër flasin rregullisht më shumë se një gjuhë. Me katër gjuhë zyrtare kombëtare, Zvicra ka një peizazh të veçantë gjuhësor dhe shumë gjuhë jo-kombëtare që mund të dëgjohen edhe në jetën e përditshme, shkruan Swissinfo.ch përcjellë Klan Kosova.
Sipas të dhënave aktuale nga Zyra e Statistikave Federale (FSO), pjesa më e madhe e popullsisë së përhershme flet gjuhën gjermane ose zvicerane gjermane. Në mesin e gjuhëve jo-kombëtare, gjuha angleze dhe portugeze janë më të zakonshmet e më pastaj është edhe gjuha shqipe.
Për shkak të numrit të madh të të huajve, edhe gjuhët e huaja gjithnjë janë më të përhapura në Zvicër.
Gjuha angleze po bëhet gjithashtu një gjuhë e shquar në Zvicër.
Në vitin 2010, 4.6 përqind e popullsisë zvicerane foli gjuhën angleze si gjuhë kryesore, krahasuar me 5.4 përqind shtatë vjet më vonë. Kjo është gjithashtu për shkak të rritjes së emigracionit nga vendet që flasin anglisht, si Britania e Madhe dhe SHBA.
Në Zvicrën frankofone, emigrantët priren të përshtaten me gjuhën lokale. Për shembull, shumë njerëz që flasin spanjisht, portugalisht ose italisht emigrojnë në Zvicrën frankofone, dhe ata priren të mësojnë shpejt frëngjishten.
Dhe, të huajt në përgjithësi integrohen më shpejt në Zvicrën frankofone, sesa në Zvicrën gjermanofolëse.
Trendet e emigracionit janë të ndryshme në pjesën gjermanofolëse të Zvicrës. Për shembull, njerëzit që emigrojnë nga Kosova ose Turqia kanë më shumë probleme duke folur gjermanisht në fillim krahasuar me spanjollët që mësojnë frëngjishten në Zvicrën frankofone.
Sipas statistikave zyrtare, 62.6 përqind flasin gjermanisht ose zvicerane-gjermane, pastaj 22.9 përqind frëngjisht, 8.2 përqind italisht.
Nga gjuhët e huaja, 5.4 përqind flasin anglisht, 3.7 përqind portugeze, 3.2 përqind shqip, serbisht ose kroatisht 2.5 përqind, spanjisht 2.4 përqind dhe 7.7 përqind gjuhë tjera.