Ideja e Presidentit Hashim Thaçi për ndryshim të Kushtetutës në mënyrë që Lugina t’i bashkohet Kosovës, duket se është vështirë e realizueshme.
Kjo për arsye se për këtë ndryshim kushtetues ekziston një pengesë ligjore dhe kushtetuese që ndryshimi i Kushtetutës të bëhet me 2/3 e shumicës së deputetëve dhe pakicës.
Juristi dhe profesori universitar, Mazllum Baraliu, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se për këto ndryshime në Kushtetutë duhen votat e Listës Serbe, të cilët tani më nuk janë pjesë e koalicionit të partive në pushtet.
“Çështjet të cilat mund të ndryshohen ose kërkohet të ndryshohen tani kanë dallime të mëdha, fakti tjetër është që atëherë ka pasë një koalicion të partive në pushtet, partive me shumicë shqiptare me Listën Serbe, ndërkohë tani afër një viti Lista Serbe është jashtë koalicionit qeverisës dhe e dyta kemi të bëjmë me ndryshime sipas pretendimeve të Presidentit që nuk i votojnë deputetë serb, ata nuk do votojnë që një pjesë e territorit që zyrtarisht është në sovranitet të Serbisë, të kalojë në sovranitet të Kosovës”, u shpreh Baraliu.
Këto barriera dhe këto kushte, Baraliu thotë se vetë pushtetarët i pranuan në Kushtetutën e Kosovës dhe se tani kur bëhet fjalë për Luginën është e pamundur që për këto ndryshime në Kushtetutë të sigurohen votat e Listës Serbe të cilët në asnjë mënyrë nuk votojnë për bashkim të Kosovës me Luginën.
“Është një pengesë ligjore dhe kushtetuese që ndryshimi i kushtetutës do bëhet me 2/3-tat e shumicës së deputetëve dhe pakicës, prandaj tejkalimi i këtyre barrierave që vetë këta të cilat këta zotërinj tanë i kanë pranuar në Kushtetutën e Kosovës, janë bllokadat dhe barrierat të cilat paraqiten në momentin kur ka nevojë të bëhet një ndryshim i tillë”, ka thënë Baraliu për Ekonomia Online.
Ai thotë se këto janë vetëm deklarata të politikave në Kosovës dhe ndryshimet nuk mund të ndodhin derisa janë mekanizmat bllokues të cilat kjo klasë politike i ka pranuar.
“Gjitha këto janë më tepër hipoteza dhe presupozime të cilat jo rrallë herë politikanët tanë dinë t’i shprehin e pastaj t’i ndryshojnë deklaratat, ndryshime të tilla s’mund të ndodhin sepse janë mekanizmat bllokues të cilat kjo klasë politike i ka pranuar”, ka thënë Baraliu në këtë intervistë për EO.
Ai shprehet skeptik se Serbia do ta njoh Kosovën, por ajo që mund të bëhet sipas tij është lidhja e një marrëveshje për stabilizim të marrëdhënieve ose normalizim me Kosovën e cila nuk është njohje e sovranitetit
“E tëra kjo do duhej të varej nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse, tani në zhargonin politik, nëse një marrëveshje e tillë lidhet, e që dyshoj që Serbia do ta pranojë, në qoftëse Kosova nuk mund t’i pranojë ato kushte të cilat kanë dalë tani, atëherë kjo nëse ndodhë unë jam shumë skeptik që do ketë një marrëveshje dhe sidomos jo një marrëveshje siç po pretendohet nga institucionet e vendit që Serbia ta njohë Kosovën. Serbia me asnjë marrëveshje nuk do ta njohë shprehimisht Kosovën. Serbia mund të lidhë një marrëveshje për stabilizim të marrëdhënieve ose normalizim me Kosovën e cila nuk është njohje e sovranitetit”, ka thënë Baraliu.
Ai thotë se Serbia nuk e pranon në asnjë mënyrë Luginën si të tillë dhe Serbia nuk është e interesuar që të japë tokë, por të fitojë territore dhe synimi i saj është të marr veriun e Kosovës.
“Ndryshimi i Kushtetutës nuk mund të ndodhë fare pasi që Serbia nuk e pranon në asnjë mënyrë Luginën si të tillë dhe Serbia nuk është e interesuar që të japë tokë, por të fitojë territore dhe synimi i saj është të marr veriun e Kosovës, gjithë territorin dhe resurset ekonomike, t’i japë disa fshatra, e cila nuk është zgjidhje dhe është jo e pranueshme, as nuk është nga populli ynë në Luginë, por as e pranueshme për Serbinë.
Gjitha këto deklarata që shpesh janë të papërputhshme me njëra-tjetrën mund ta ngatërrojnë dhe të krijojnë konfuzion para opinionit publik, duhet pasë kujdes për këto deklarata pasi përgjegjësia duhet të jetë shumë e madhe, llogaridhënia gjithashtu, ata duhet ta ruajnë kredibilitetin para Kushtetutës”, ka thënë ai për EO.
Ditë më parë, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi,ka thënë se kërkesën e Luginës për bashkim me Kosovën do ta prezantojë edhe në Bruksel.Ai tha se për t’u bashkuar me Luginën përkrah edhe ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.