Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, vazhdon të kërkojë futbollistë, të cilët në të kaluarën kanë luajtur me përfaqësueset e moshave të vendeve të tjera.
Hadërgjonaj dhe Toma vazhdojnë të jenë dy lojtarë që i interesojnë teknikut të Kosovës dhe ai nuk e fsheh që po ndjek dhe kontakton me dy lojtarët të cilët janë aktivizuar më parë me Zvicrën.
“Unë jam në kontakt me lojtarët dhe u tregoj atyre interesimin tonë. Unë do të isha një idiot nëse nuk do ta bëja një gjë të tillë. Por nuk bëj më shumë se kaq. Aspekti patriotik është shumë i ndjeshëm. Unë nuk i vë nën trysni. As menaxherët e tyre, as lojtarët e as familjarët. Nëse dikush zgjedh Zvicrën, unë e kuptoj plotësisht.
Pse?
Sepse Zvicra është kualifikuar në Evropianin dhe Botërorin e fundit. Nëse do të isha ende futbollist, unë do të zgjidhja Zvicrën nëse do të kisha realisht shanse për t’u bërë pjesë e ekipit”, deklaroi Challandes për “Blick”.
Ai shprehet se i ka dyert e hapura për këdo që nuk e sheh veten pjesë të planeve të përfaqësueseve të tjera.
“Jemi gati të presim lojtarët në mesin tonë. Një ditë ne do të kemi një situatë konkurrence të shëndoshë. Ekipi ynë ka potencial me shumë lojtarë të cilët mund të mos luajnë në klube a kampionate të mëdha, por të cilët mund të bëjnë diçka.
Zërat në media?
Janë stresuese. Në Zvicër mediet më përshkruajnë si hajdut, edhe pse unë nuk vjedh dhe nuk vendos asgjë. Atë e bëjnë lojtarët, prindërit, familjet. Dhe në Kosovë media më vë gjithmonë nën trysni, edhe Federatën. Këto mesazhe mund të shkaktojnë stres më madh pasi familjet e lojtarëve mërziten, ndaj ne rrezikojmë të humbasim futbollistë. Dhe nëse ndokush zgjedh kundër Kosovës, atëherë ai shumë shpejt do të bëhet një tradhtar. E pastaj do të jem unë ai që nuk e ndali një gjë të tillë”, ka shtuar Challandes