Drama rikthehet në partinë ku, ndryshe nga subjektet tjera politike, asnjëherë nuk ka vetëm një kandidat për kryetar. LDK ka shpallur zgjedhjet e brendshme. Lutfi Haziri është deklaruar për kandidimin e tij, ndërsa kundërshtare mund ta ketë Vjosa Osmanin me të cilën ka raporte të acaruara. Përmenden edhe Abdullah Hoti, e Kujtim Shala. Ky i fundit për Gazetën Express tregon prerazi se nuk do të jetë pjesë e garës.
Albioneta Ademi
Në muajin maj, Isa Mustafës i përfundon mandati për kryetar të LDK’së. Nuk dihet nëse ai do të jetë serish kandidat ndërsa përmendën disa prej emrave që do të luftojnë për ta marrë udhëheqjen e saj.
Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, është deklaruar për kandidimin e tij, ndërsa ka thënë se do të jenë pesë kandidatë.
Haziri është prej zyrtarëve të LDK’së që asnjëherë nuk ka fshehur ambicien e tij për të qenë kryetar i subjektit në të cilin thotë se shërben prej 29-vjetësh.
Ai është i pari që foli pas shpalljes së zgjedhjeve të reja partiake. Në një nga emisionet televizive javën e kaluar, Haziri tha se dëshiron që kryetari i partisë të zgjidhet me një marrëveshje politike.
Dhe, në qoftë se nuk merren vesh për kryetar, atëherë Haziri paralajmëroi se do t’i sfidojë bashkëpartiakët.
Anëtari i kryesisë së LDK’së, Kujtim Shala, është emri tjetër i cili futet në listën e kandidatëve të mundshëm për kryetar të partisë.
Ish-zëvendëskryeministri në Qeverinë Mustafa, i ka thënë Gazetës Express se nuk do të kandidojë për kryetar të partisë.
Në degën e LDK’së në Pejë, përmenden të që pritet të hyjnë në garë. Është Gazmend Muhaxheri i cili e ka forcuar atje partinë duke ta kthyer në bastion të LDK’së qytetin e Pejës.
Brenda LDK’së ka pasur garë dhe përplasje edhe kur nuk kanë qenë kohë zgjedhjesh.
Deputetja Vjosa Osmani është përplasur shpesh me Lutfi Hazirin, e sidomos për idenë e shkëmbimit të territoreve me Serbisë, të cilët Haziri e përkrah e Osmani e kundërshton.
Deputetja Osmani pritet të jetë një nga kandidatet për kryetare të LDK’së, ndërsa gatishmëri për këtë pozitë ajo ka pasur edhe para katër vjetëve, kur ishte e vetmja që deshi t’i dilte kundër Isa Mustafës në zgjedhjet për kryetar të LDK’së.
Osmani ka qenë e paqasshme gjatë ditës, ndërsa ajo po hesht rreth çështjes së zgjedhjeve në partinë, që vetëm tani ka arritur të rregullojë raportet me një pjesë të kryesisë.
Asaj nuk iu mundësua të sfidonte Mustafën, ndërsa tani, nëse tenton të kandidojë serish, kundërkandidatëve do t’iu paraqitet me 65 mijë vota që ka marrë në zgjedhjet nacionale.
Ish-kandidati i LDK’së për kryeministër në zgjedhjet e 2017’ës, Avdullah Hoti, njëri i afërt me kryetarin Mustafa në dhjetë vitetët e fundit, po ashtu përmendët si një nga kandidatët për kryetar të partisë.
Ndërkaq, Familja Geci e ka parë të nevojshme që të dalë me një komunikatë për media për të treguar se tashmë kanë reflektuar dhe e duan Fatmir Sejdiun për kryetar të partisë.
Nga familja Geci, LDK’ja ka pasur dy deputetë, por tashmë ata nuk kanë ndonjë pozitë zyrtare në parti. Në ditët e ndikimit të tyre, Gecët nga Drenica kishin përkrahur Nexhat Dacin për kryetar të partisë kundër Fatmir Sejdiut.
Madje ata kishin lënë nam në Kuvendin e VI të LDK’së kur në këtë parti ndoshta për herë të parë ishte përdorur forca. Në atë garë Sejdiu kishte dalë fitues.
Tash pas më shumë se një dekade, kur Sejdiu përmendet për rikthim në garë, vetë ish-Presidenti i Kosovës nuk e ka mohuar diçka të tillë.
Kur është pyetur në emisionin Pressing gjatë majit të vitit të kaluar nëse do të kandidojë për kryetar të partisë kur të vijnë zgjedhjet, ai ka thënë se “Do të shoh me kohën”.
Kandidatët, sipas statutit të LDK’së, do të zgjidhen me vota të delegatëve, ndërsa numri i këtyre të fundit varet prej votave që kjo parti ka marrë në zgjedhjet nacionale.
Për çdo 532 vota që një degë ka marrë nga zgjedhjet lokale, ajo do të çojë 1 delegat në Kuvendin Zgjedhor të LDK’së ku zgjedhet kryetari i partisë.
Në zgjedhjet lokale në Prishtinë LDK ka marrë 41.897 vota, që i bie se do të ketë 80 delegatë.