Epitetet për të përshkruar Messi-n kanë mbaruar dhe për argjentinasin është thënë gjithçka e mundshme. E reja në lidhje me kampionin e katalanasve ka ardhur nga “Cadena Ser”, që ka ngritur pyetjen: “A mund të klonohet Messi?”.
Për të marrë një përgjigje, radioja spanjolle ka kontaktuar Arcadi Navarro, specialist i gjenetikës dhe përgjegjësi i Arkivit Europian të Gjenetikës, i cili ka thënë:
“Po, Messi mund të klonohet me teknikat aktuale. Do të ishte e mundur të krijohet një qenie njerëzore e ngjashme me Messi-n, një lloj binjaku. Si të kishin lindur njëkohësisht, por njëri nga të dy ka mbetur i ngrirë për 20-30 vite”.
Ky “Messi i ri” do të mund të trashëgonte talentin gjenetik të sulmuesi “blaugrana”:
“Ky person mund të ketë të njëjtin potencial si Messi, cilësitë e tija dhe përbërësit gjenetik, edhe pse duhet thënë se Messi është Messi jo vetëm përbërësit gjenetik, por edhe për eksperiencat e jetës, edukimin që ka marrë dhe faktorët e jashtëm që kanë ndikuar te formimi i tij”, ka përfunduar Navarro.