Federata e Futbollit e Kosovës fton të gjithë shikuesit në stadium që gjatë ndeshjes së sotme ta përkrahin Kombëtaren e Kosovës fuqishëm dhe me dinjitet, por në asnjë rrethanë të mos bëjnë veprime që janë të kundërligjshme, siç ishte rasti në ndeshjen miqësore kundër Danimarkës, kur dy shikues i kaluan rrethojat dhe u futën në fushën e gjelbër, shkruan Gazeta Alo.
FFK u bën me dije shikuesve se çdo kalim i rrethojave dhe hyrje në fushë konsiderohet vepër penale dhe do të jetë i ndëshkueshëm në bazë të Ligjit për parandalimin e dhunës dhe Ligjit kundër huliganizmit dhe dukurive tjera negative në sport.
FFK beson fuqishëm se të gjithë shikuesit do të jenë të ndërgjegjshëm për pasojat që bartin veprimet e tilla dhe se nuk do të lejojnë që persona të pandërgjegjshëm të prishin imazhin e mirë që ka krijuar FFK-ja dhe vetë tifozeria jonë “Dardanët” në ndeshjet e këtilla./Gazeta Alo