Fjalë Kyçe

Bylbyl Sokoli flet për Superligën me dhjetë skuadra

Bylbyl Sokoli flet për Superligën me dhjetë skuadra

Nga edicioni 2020/21 elita e kampionatit kosovar në futboll do të ketë vetëm dhjetë skuadra, kjo pasi që në Kuvendin e Punës së FFK-së të mbajtur më 28 mars është miratuar nga delegatët plani i ri për zvogëlimin e Superligës, shkruan Gazetasheshi.com.

Ky vendim ka ngjallur shumë debate në lidhje me numrin e skuadrave që duhet ti ketë kampionati elitarë.

Ideja për zvogëlimin e Superligës duket se i ka pëlqyer trajnerit të njohur kosovar Bylbyl Sokoli, i cili në emisionin “Sports Show” në Klan Kosova deklaroi:

“Si sistem është profitabil, mund të përshtatet në Kosovë dhe mund të ketë më shumë të mira materiale”.

Më tej ai ka folur edhe për kushtet e vështira në stadiumet e Kosovës, teksa kërkoi nga FFK që tu bëjë presion më shumë klubeve.

“Por, FFK duhet t’i paralajmërojë skuadrat që të marrin masa për infrastrukturë ashtu edhe t’ua rregullojnë kushtet edhe gazetarëve e jo të lihen në atë gjendje”, vlerësoi Sokoli.

“Përveç kësaj duhen rregulluar edhe kushtet për lojtarët”, tha Sokoli në mes të tjerash.