Fjalë Kyçe

Haradinaj në drekë pune me ‘ambasadoren e Thaçit’

Haradinaj në drekë pune me ‘ambasadoren e Thaçit’

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj siç duket e ka tejkaluar përplasjen që kishte pasur me ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Ai sot është takuar me të në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vizitën e tij, shkruan lajmi.net. Haradinaj pak kohë më parë, e kishte quajtur Çitakun ‘ambasadore të Thaçit’ në SHBA e jo të Kosovës.

Çitaku i ishte kundërpërgjigjur Haradinajt duke thënë se ajo është ambasadore e shtetit të Kosovës dhe kryeministri i saj është Ramush Haradinaj. Haradinaj takimin me Çitakun e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

Ky është postimi i tij:

Drekë pune me ambasadoren Vlora Çitaku me bashkëpunëtorë, Edi Demaj dhe Marjan Camaj, ndërmarrës të suksesshëm në Detroit të ShBA-ve. Është mbresëlënës suksesi i tyre, nga refugjatë në 99-tën, në emra të suksesshëm në fushën e teknologjisë, internetit dhe IT-së.

Storien e suksesit në ShBA e kanë sjellë edhe në Kosovë, duke investuar kapitalin e tyre për të hapur vende të reja pune dhe rritur ekonominë e vendit.

I lumtur të kuptoj që planet për Kosovën veç janë rritur. Duke i ftuar të investojnë më shumë, u zotova se Qeveria do të jetë gjithmonë mbështetëse për investimet e tyre në Kosovë.