Fjalë Kyçe

Lajmi i fundit: Përjashtohet gjyqtari i Superligës

Lajmi i fundit: Përjashtohet gjyqtari i Superligës

FSHF merr vendim drastik për gjyqtarin e Kolegjiumit të Tiranës, Olsi Sokoli.

“Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta në institucionin e futbollit se kanë qenë vetë drejtuesit e FSHF-së ata që prej pak ditësh kanë urdhëruar sektorin e arbitrimit për të përjashtuar Sokolin nga çdo aktivitet.

Që prej ndeshjes së 17 marsit në Fushë-Krujë mes Kastriotit dhe Tiranës, arbitri 31-vjeçar nuk është parë të gjykojë në asnjë nga kampionatet e futbollit në Shqipëri. Sokoli u bë protagonist në sfidën e tij të fundit me dhënien e një penalltie të paqenë në favor të Kastriotit, e cila ndikoi direkt në rezultatin përfundimtar të takimit. Polemikat që shoqëruan postndeshjen ishin të mëdha, madje vetë klubi i Tiranës bëri një denoncim publik për arbitrin.

“Gjyqtari Olsi Sokoli vodhi turpshëm skuadrën në fushë ndaj Kastriotit dhe klubi ka hapur një çështje ndaj tij në FIFA, në sektorin e Luftës kundër Racizmit, në mungesë të një përgjigjeje nga Federata Shqiptare e Futbollit. KF Tirana kërkon përjashtimin nga futbolli të arbitrit për një gjykim të paprecedent, komunikim ofendues dhe përdorimin e shprehjeve raciste kundrejt lojtarëve të Tiranës”, citohej në qëndrimin e klubit bardheblu gjatë muajit të kaluar. Ndërsa vetë Sokoli në një prononcim për “Panorama Sport” pas akuzave të Tiranës, është shprehur: “Nuk është asgjë e vërtetë nga ajo që është shkruar nga klubi. Është fyese të më akuzojnë për racizëm”.

Ndërkohë, nuk dihet nëse në të ardhmen do të ketë një prapakthehu nga FSHF për arbitrin, por gjasat janë që ky vendim të përkthehet me fundin e karrierës për 31-vjeçarin, i cili shpesh është bërë protagonist në ndeshjet e Superiores, veçanërisht kur ka arbitruar Laçin.