Pas përurimit të palestrës sportive ‘Mizair Isma’ në fillim të këtij viti, qyteti i Rahovecit do të bëhet edhe me një palestër sportive dhe dy stadiume të reja.
I pari i kësaj komune, Smajl Latifi dhe ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Gashi, kanë nënshkruar sot (e mërkurë) tri memorandume bashkëpunimi.
Këto memorandume bashkëpunimi do të mundësojnë që në Rahovec të realizohen:
Ndërtimi i stadiumit të futbollit të kategorisë së dytë, në qytet, sipas standardeve të FIFA-s;
Ndërtimi i palestrës sportive në Krushë të Madhe;
Ndërtimi i stadiumit të futbollit të kategorisë së dytë, me standardet e Superligës së Kosovës, në Ratkoc.
Postimin e plotë të kryetarit Latifi e gjeni në pjesën e mëposhtme:
Prioritet i lartë i qeverisjes sime mbetet zhvillimi i sportit!
Të nderuar bashkëqytetarë, me përfundimin e palestrës po ringjallet jo vetëm sporti por edhe rinia e komunës së Rahovecit! Komuna e Rahovecit e ka si prioritet të lartë sportin – pas përfundimit të palestrës dhe financimin me shuma rekorde të klubeve sportive, sot sjellim edhe një lajm të madh.
Kemi nënshkruar tri memorandume mirëkuptimi me ministrin e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, z. Kujtim Gashi sipas të cilëve, kjo ministri do të financojë:
– Ndërtimin e stadiumit të futbollit të kategorisë së dytë, në qytet, sipas standardeve të FIFA-s;
– Ndërtimin e palestrës sportive në Krushë të Madhe;
– Ndërtimin e stadiumit të futbollit të kategorisë së dytë, me standardet e Superligës së Kosovës, në Ratkoc.
Projektet kanë vlerë 2 milionë e 150 mijë euro. Falënderojmë MKRS-në për këto investime dhe sigurojmë se ne si Komunë do të bashkëpunojmë e do të jemi në dispozicion që këto projekte të realizohen sipas planit të paraparë.