Fjalë Kyçe

Këta janë katër xhihadistët që u arrestuan pasi u kthyen nga Siria

Këta janë katër xhihadistët që u arrestuan pasi u kthyen nga Siria

Që nga mëngjesi u raportua se katër burrat e kthyer nga Siria mbrëmë në Kosovë, me urdhër të Prokurorisë Speciale, u ndaluan për 48 orë. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi përmes një konference të jashtëzakonshme për media tha se arrestimi i tyre u bë për shkak të dyshimit se kanë marrë pjesë në luftime në kuadër të grupit terrorist ISIS.

Ndaj katër kosovarëve që dyshohet se ishin me rrezikshmëri të lartë menjëherë hyri në fuqi urdhërarresti.

Prokurori Special Sylë Hoxha po në këtë konferencë tha se ndaj këtyre katër personave ka hyrë në fuqi urdhër arresti.

“Ndaj këtyre perosnave ka qenë në fuqi urdhër arresti. Në momentin që këta ndalohen nga policia, sillen në Prokurori”, ka thënë Sylë Hoxha.

Por, as Hoxha e as Lumezi nuk dhanë detaje se kush janë këta persona.

Siç raporton Gazeta Express, katër kosovarët që luftuan një kohë në zonat e konfliktit në Siri për t’u kthyer mbrëmë në Kosovë, janë:. Agon Misini, Arijan Kryeziu (Krujezi), Rexhë Tafaj dhe Visar Qukovci.

Arrestimin e tyre e ka konfirmuar edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale janë arrestuar katër luftëtarë, ata janë ndaluar për 48 orë”, tha ai.

E për personat që luftojnë në Siri, para disa vitesh shteti ynë ka hartuar një ligj me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja do të dënohet deri në 15 vjet burgim.