San Antonio Spurs më në fund kthehet tek fitorja. Ekipi teksan mposhti Los Angelos Lakers 120-133, pavarësisht se LeBron James ishte në një formë të shkëlqyer, ku realizoi 35 pikë, morri 8 topa në tabelë dhe dhuroi 11 assist për shokët e skuadrës.
E njëjta gjë mund të thuhet dhe për yllin e Spurs, DeMar DeRozan, i cili e mbylli sfidën me 36 pikë të shënuara, 8 rebound dhe 9 assist. Ky ishte suksesi i 12 për San Antonion në 26 takime, dhe disfata e 10 për Lakers në 25 ndeshje.
Golden State Warriors duken se janë sërish vetvetja, pas rikthimit të kapitenit Steph Curry. Kampionët në fuqi mundën Milwaukee Bucks 105-95, me Curry dhe Klay Thompson që ishin pikshënuesit më të mirë për ekipin e tyre, me nga 20 secili. Tek Bucks, nuk mjaftuan 22 pikët dhe 15 topat në tabelë të Giannis Antentokoumpo, por gjithsesi renditen sërish në vendin e dytë të konferencës së Lindjes.
Fitore e rëndësishme edhe për Philadelphia 76ers, të cilët fituan 117-111 përballë Detroit Pistons brenda në Michigan. Pavarësisht mungesës së Joel Embiid, Jimmy Butler u bë udhëheqësi i të tijve në këtë takim, duke e mbyllur lojën me 38 pikë, ndërkohë që një paraqitje të mirë dhuroi dhe Ben Simmons me 18 pikë dhe 14 rebound. Tek Detroit, më i miri ishte Blake Griffin me 31 pikë dhe 12 topa në tabelë.
Surpriza ndodhi në Chicago, aty ku Bulls arritën suksesin kundër Oklahoma City Thunder 114-112. Për vendasit, shkëlqyen Zach Lavine me 25 pikë dhe Lauri Markkanen me 24, duke marrë kështu fitoren e gjashtë sezonale. Ndërkohë, për Thunder, nuk mjaftoi triple-double i Russell Westbrook, që mbylli takimin me 24 pikë, 17 rebound dhe 13 asiste për shokët e skuadrës.