Fjalë Kyçe

Nëna 27 vjeçe mbyti beben 6-ditëshe, e fshehu në tavan

Nëna 27 vjeçe mbyti beben 6-ditëshe, e fshehu në tavan

Nëna 27 vjeçare M.B (gazeta e di identitetin e saj), nga qyteti i Prizrenit, dyshohet se mbyti foshnjën e saj gjashtë ditëshe të gjinisë mashkullore në shtëpi- ku edhe e kishte lindur. Nëna monstër e kishte vendosur trupin e pajetë të foshnjës në tavanin e shtëpisë. Kjo ngjarje u zbulua mbrëmë nga policia. Trupi i foshnjës është dërguar për obduksion ndërsa nëna pasi ka pranuar trajtim mjekësor është ndaluar për 48 orë.

Për nënën e re Prokuroria e Prizrenit po përgatitet të kërkojë paraburgim. M.B po hetohet për veprën penale “Vrasje e foshnjës”. Gazeta Express mëson nga burimet e saja se foshnja i përkiste gjinisë mashkullore dhe nëna 27 vjeçare ishte e pamartuar.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, ka konfirmuar ngjarjen e rëndë për Gazetën Express.

“Dyshohet se një  grua në shtëpinë e saj e ka lindur foshnjën edhe dje kemi marrë informacion se foshnja gjendet pa shenja jete në tavanin e shtëpisë së të dyshuarës…Policia ka dalë në vendin e ngjarjes e ka marrë foshnjën pa shenja jete dhe e ka dërgu në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Nëna është dërgu në spital për trajtim mjekësor pas kësaj e njëjta eshtë ndaluar për 48 orë”, tha Shala.

Shtoi se do të punohet për caktim të paraburgimit ndaj saj.

Ndryshe, informacioni për mbytjen e foshnjës u dha sot nëpër media, kur policia lëshoi këtë komunikatë për media:

Me datën 26 prill 2019, e dyshuara femër K/Shqiptare ka kërkuar ndihmën mjekësore në spitalin e Prizrenit, pasi që e njëjta kishte lindur një foshnje në shtëpinë e saj dhe më pas dyshohet që e ka mbytur.Trupi i pajetë i foshnjës është gjetur në tavanin e shtëpisë dhe me vendim të prokurorit është dërguar në IML për obduksion, ndërsa e dyshuara është e arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Ky është rasti i parë i mbytjes së një foshnje brenda këtij viti në Kosovë. Ndërsa vitin e kaluar ka pasur më shumë se dy raste të tilla.