Llapi ka fituar tri pikë tejet të rëndësishme në luftën për titull të kampionit. Llapjanët mposhtën kampionin në fuqi, Dritën me rezultat minimal, 1:0.
Pas ndeshjes, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka thumbuar gjilanasit.
“Ne e kemi ditur se Drita ka një skuadër cilësore. Por, ata sot kishin ardhur tejet të motivuar, por është e kotë sepse Llapi është shumë i fuqishëm. Ne do ta bëjmë kampion vetveten dhe nuk kërkojmë që të na bëjë dikush tjetër”, tha fillimisht Batatina për SuperSport.
“Nga ndeshja në ndeshje do të hyjmë me qetësi. Do ta presim të qetë duelin me Trepçën ’89 e më pastaj i kemi dy ndeshje me rivalët direkt. Sot referimi ishte shumë i mirë dhe nëse referohet kështu nuk kemi nevojë për referë ndërkombëtarë”, shtoi Batatina.
Ai ka edhe një mesazh për tifozët.
“Dua t’u them tifozëve të mos presin lojëra të mira të Llapit në këto ndeshjet e fundit. Për mua me rëndësi është të shënojmë një gol dhe t’i marrim tri pikë. Ndërkohë, lojëra të mira ju garantoj në stadiumin e legjendës Fadil Vokrri, atëherë kur Llapi do të marrë pjesë në gara ndërkombëtare”, përfundoi Batatina.
Llapi aktualisht është dy pikë prapa liderit, Feronikelit.