Drejtuesit e Arsenalit do të takohen me kapitenin e klubit, Granit Xhaka, në ditët në vijim, për të biseduar rreth reagimit të vrazhdë të mesfushorit shqiptar ndaj tifozëve të vet pasi u zëvendësua në barazimin e së dielës 2:2 kundër Crystal Palace në shtëpi.
Xhaka pritet të rikthehet në stërvitje me ekipin të martën para ndeshjes së Arsenalit kundër Liverpoolit në rrethin e katërt të Carabao Cup të mërkurën, transmeton Gazeta Express.
Ndërkohë, Federata e Futbollit e Anglisë (FA) nuk do të marrë asnjë veprim ndaj Xhakës, pasi ai u pa duke i sharë dhe duke bërë me gjeste ndaj tifozëve të Arsenalit, të cilët e fishkëllyen.
Xhaka, i cili ka shkaktuar më shumë faulle (22) se çdo futbollist tjetër në Premierligë këtë sezon, është zëvendësuar tri herë në nëntë ndeshje deri tani në ligë.
Për momentin nuk dihet nëse Arsenali është duke menduar t’ia heqë shiritin e kapitenit mesfushorit shqiptar të Zvicrës.
I pyetur pas ndeshjes nëse Xhaka do të mbetet kapiten i Arsenalit, trajneri Unai Emery tha: “Nuk është tani koha të flitet për këtë”.