Transmetuesi publik i Britanisë, BBC, ia ka kushtuar një shkrim të gjatë vendimit të fundit të Bashkimit Evropian për ta refuzuar hapjen e bisedimeve për pranim në këtë bllok me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.
Sipas këtij mediumi, veprimi i BE-së ishte sikur t’ua zgjaste dorën këtyre shteteve e më pas ta prekte hundën e vet në shenjë shakaje.
Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, mbeti me frymëmarrje të rënduar pasi perspektiva e bisedimeve për pranim në BE iu largua papritmas.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e luajti rolin e kundërshtarit kryesor në këtë proces. Ai tha “jo” kur të gjithë liderët e tjerë evropianë e miratuan fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë Veriore. I njëjti refuzim iu dha edhe Shqipërisë fqinje.
Mospërfillja e Bashkimit Evropian e dërgoi gjithashtu një mesazh të zymtë në mbarë Ballkanin, përfshirë Kosovën dhe Bosnjën, madje edhe për shtetet që për shumë vjet janë në negociata për pranim, Serbinë dhe Malin e Zi.
Për maqedonasit e rinj, ky refuzim vjen si një goditje për shkak të aspiratave evropiane që i kishte gjenerata e re.
Qeveria maqedonase tashmë e ka paguar çmimin për këtë. Ajo nuk do ta çojë deri në fund mandatin pesëvjeçar, por do të shkojë në zgjedhje të parakohshme në prill të vitit të ardhshëm.
“Askush këtu nuk besonte që do të bëheshim shtet anëtar nesër, por ne ishim plotësisht të përgatitur për negociata”, tha Ivana Tufegdzik, deputete nga radhët e koalicionit qeverisës.
“Shumë kryeministra dhe presidentë evropianë kanë thënë se marrëveshja për emrin, referendumi dhe ndryshimet kushtetuese do të na i hapte dyert për në BE. Madje edhe presidenti Macron kishte thënë kështu në një video për popullin maqedonas”, shtoi ajo, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Kjo deputete shtoi se pritjet nga BE-ja ishin të mëdha dhe mesazhi i gabuar erdhi krejt papritmas.
Pasojat e këtij vendimi tashmë kanë filluar të bëhen të dukshme në Ballkan. Lideri i partisë që fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e Kosovës ka sugjeruar që të mbyllet Ministria për Integrime Evropiane, ndërsa Serbia mund të nënshkruaj marrëveshje për tregti të lirë me një union të mbizotëruar nga Rusia pa u brengosur shumë për implikimet e mundshme.