Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi ka përkujtuar në ditë e rënies dëshmorët Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, duke theksuar se emrat e tyre u bënë simbol frymëzimi për gjeneratën tonë, e cila nuk e ndali asnjëherë veprimtarinë, duke realizuar ëndrrën e tyre, çlirimin e Kosovës.
Thaçi tha në 30 vjetorin e rënies së tyre se dy veprimtarët e shquar të Lëvizjes kombëtare janë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Afrimi dhe Fahriu ishin të përkushtuar jetësisht dhe të përgatitur gjithanshmërisht për realizimin e idealeve të tyre kombëtare dhe politike”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Ky është shkrimi i tij i plotë:
Sot u bënë 30 vjet nga rënia heroike e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, dy veprimtarëve të shquar të Lëvizjes sonë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Afrimi dhe Fahriu ishin të përkushtuar jetësisht dhe të përgatitur gjithanshmërisht për realizimin e idealeve të tyre kombëtare dhe politike.
Më 2 nëntor 1989, ata u ballafaquan me trimëri me forcat policore serbe, duke dëshmuar se në Kosovë asnjëherë nuk do të reshte veprimtaria e organizuar kundër sundimit jugosllav. Edhe pse rënia e Afrimit dhe Fahriut ishte humbje e madhe për Lëvizjen kombëtare, emrat e tyre u bënë simbol frymëzimi për gjeneratën tonë, e cila nuk e ndali asnjëherë veprimtarinë, duke realizuar ëndrrën e tyre, çlirimin e Kosovës.