Fjalë Kyçe

A po i skadon mandati Gjykatës Speciale?

A po i skadon mandati Gjykatës Speciale?

Bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, në bazë të së cilit janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, që njihet si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, mandati pesë-vjeçar i këtij institucioni do të skadojë vitin e ardhshëm (më 2020).

Megjithatë, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i lajmëroj për këtë institucionet e Kosovës, gjë që konfirmohet edhe në vet këtë gjykatë.

Në kuadër të këtij institucioni, ndonëse intervistimet janë gjithnjë e më të shpeshta, ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë.

Nga organizatat e veteranëve të luftës tashmë kanë nisur thirrjet për institucionet e ardhshme të Kosovës që të refuzojnë të vazhdojnë mandatin e kësaj gjykate, para së gjithash, për shkak se e konsiderojnë të njëanshme dhe siç thonë, ajo do të gjykojë vetëm një bashkësi etnike, ndërkohë që, sipas tyre, krimet serbe në Kosovë do të mbeten të padënuara.

Njohësit e Kushtetutës së Kosovës theksojnë që vetëm një amendament i ri kushtetues mund t’ia vazhdojë mandatin gjykatës, ndërkaq që udhëheqësit politikë po paralajmërojnë që kjo çështje do të jetë temë e diskutimit në legjislaturën e ardhshme, në Kuvendin e Kosovës.

Nga Gjykata kanë theksuar se për vazhdimin e mandatit nuk nevojiten kurrfarë hapash.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është pretenduesi kryesor për kryeministër të Kosovës, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, thekson që qeveria e re dhe ai si kryeministër, lidhur me këtë çështje do të shtrojnë dy diskutime.

“Njërin (diskutim) parlamentar në Kuvendin e Republikës, mbi Gjykatën Speciale, e cila ka shpenzuar më shumë se 100 milionë euro të taksapaguesve evropianë dhe nuk ka ngritur asnjë aktakuzë e lëre më të shpie deri në fund ndonjë proces. Dhe në anën tjetër, një diskutim me Brukselin mbi këtë ngrehinë të pazakonshme të drejtësisë. Prej këtyre diskutimeve, duhet të marrim vendimin meritor në vitin e ardhshëm”, tha Kurti.

Kurti, subjekti politik i të cilit në vitin 2015 ka votuar kundër ndryshimeve kushtetuese për formimin e kësaj gjykate, përkujton se që nga fillimi ka qenë skeptik lidhur me drejtësinë që mund të arrihet në atë gjykatë. Ai ka shtuar që, në vend të gjykatave speciale, Kosovës i nevojiten “gjykata normale, procese normale dhe drejtësi normale, por edhe që kriminelët e luftës dhe të paqes të jenë në burg”.

“Me funksionimin e gjykatave normale, ne do ta bëjmë gjithnjë e më të panevojshme Gjykatën Speciale, e cila, ndonëse është gjykata më e re për Kosovën, ajo nuk është e re, sepse së shpejti bëhen 4 vjet e gjysmë të amandamentimit të Kushtetutës tonë për t’i bërë vend kësaj Gjykate Speciale, e cila me një këmbë është brenda vendit dhe me një këmbë është jashtë vendit. Rrjedhimisht, ajo është gjykatë ‘sui generis’ që mbase nuk do t’ia arrijë të mbrojë dot veten e saj në Strasburg, një ditë”, tha Kurti.

Lidhur me çështjen e mandatit të Gjykatës Speciale, Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të marrë ndonjë koment nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën Kurti është duke biseduar për formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Megjithatë, nga kjo parti, pas njërit prej takimeve që kanë zhvilluar me Lëvizjen Vetëvendosje në ditët e fundit, kanë theksuar që mbështesin vazhdimin e punës së Gjykatës Speciale.

Ndërkaq, Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep, thotë që ashtu siç e parasheh ligji (për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së), i cili është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, mandati i gjykatës do të vazhdohet derisa Këshilli i Bashkimit të mos e informojë Kosovën se të gjitha hetimet dhe të gjitha proceset në kuadër të Dhomave të Specializuara kanë përfunduar.

“Prandaj, për vazhdimin e mandatit, nuk janë të nevojshme formalitetet ose veprimet specifike”, tha Griep.

Dhomat e Specializuara në Hagë, në një mënyrë të vogël, janë një replikë ndaj sistemit gjyqësor të Kosovës. Ato janë themeluar në kuadër të secilit nivel të sistemit gjyqësor të Kosovës, që nga Gjykata Themelore e deri te Gjykata Kushtetuese dhe e punëson vetëm stafin ndërkombëtar.

Ato financohen kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe janë formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare. Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politik, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran Dick Marty.

Ky institucion gjyqësor ka mandat për krimet e pretenduara ndaj njerëzimit, për krimet e luftës dhe veprat tjera penale që ndërlidhen me pretendimet nga raporti i Dick Martyt, e të cilat pretendohet që janë kryer në periudhën prej janarit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Në kuadër të gjykatës ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë, ndërkaq që hetimet edhe më tej janë duke u zhvilluar.