Lidhur me këtë nivel të lartë të ndotjes kanë rikujtuar edhe vdekjet e hershme që po ndodhin në Kosovës, e ku 90 % e tyre kanë ndodhur nga sëmundjet ishemike të zemrës dhe sulmi në zemër.
Gjithashtu është konstatuar se në Kosovë janë rreth 200 lokacione të tokës së kontaminuar, dhe për të menaxhuar gjithë këtë helmim të tokës duhet një investim prej 345 milionë eurove përgjatë 20 viteve.
Në fund është kërkuar që kjo çështje e zvogëlimit të zonave të kontaminuara të jetë prioritet për institucionet.
PM: Ndryshe njihet si ndotje e grimcave të cilat janë një përzierje e grimcave jashtëzakonisht të vogla dhe pikave të lëngshme të cilat gjenden në ajër. Pasi ato thithën, mund të ndikojnë në zemër dhe mushkëri dhe të shkaktojnë efekte serioze shëndetësore ( Burimi : Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Ambientit)
Njoftimi i plotë i Bankës Botërore:
Adresimi i ndotjes së ajrit dhe i kontaminimit të tokës në Kosovë është një sfidë mjedisore që duhet adresuar urgjentisht, sipas dy raporteve mjedisore të Bankës Botërore për Kosovën të prezantuara sot. Dy raportet analitike, Menaxhimi i Cilësisë së Ajrit në Kosovë dhe Shërimi i Tokës për të Ardhmen e Kosovës, kanë për qëllim kuptimin më të mirë të problemit dhe dhënien e rekomandimeve për zgjidhje.
“Adresimi i ndotjes së ajrit dhe tokës në Kosovë është lartë në agjendën e Bankës Botërore, si dhe të shumë partnerëve tjerë që punojnë në Kosovë”, tha Karin Kemper, Drejtoresha globale për mjedis, resurse atyrore dhe ekonomi të kaltër në Grupin e Bankës Botërore. “Mbetemi të përkushtuar që të vazhdojmë përkrahjen e veprimeve për ta reduktuar ndotjen e ajrit dhe tokës”, shtoi ajo.
Ndotja e ajrit është një problem serioz shëndetësor global. Në shumicën e zonave në Kosovë nivelet e përllogaritura të koncentrimeve të PM2.5 janë dukshëm mbi vlerën udhëzuese të OBSH-së, ku viset urbane e tejkalojnë këtë vlerë një deri në katër herë. Rreth 760 persona përballen me vdekje të parakohshme çdo vit nga ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit të ambientit. Rreth 90% e tyre vdesin nga sëmundja ishemike e zemrës dhe sulmi në zemër. Në Kosovë, si në gjithë Ballkanin Perëndimor, sektori rezidencial është burimi më i madh i ekspozimit ndaj emetimeve të dëmshme PM2.5. Emetimet në lidhje me transportin paraqesin një burim të madh të ndotjes së ajrit, veçanërisht në viset urbane.
Po ashtu edhe kontaminimi i tokës mund të shkaktojë kontaminim serioz mjedisor, dhe probleme serioze shëndetësore. Lokacionet e kontaminuara në Kosovë janë kryesisht të pa menaxhuara, megjithatë Kosova e ka realizuar një inventarizim fillestar të asaj që i konsideron lokacione posaçërisht të rëndësishme (të quajtura “pika të nxehta”). Numri i lokacioneve të kontaminuara në Kosovë që kërkojnë sanim llogaritet të jetë rreth 200. Kostoja totale e veprimeve në lokacion për ta menaxhuar tërë kontaminimin e mbetur të tokës në Kosovë përllogaritet të jetë 345 miliona € gjatë 20 viteve.
Shkalla e sfidës për menaxhimin e lokacioneve të kontaminuara në Kosovë është e madhe, duke i marrë parasysh resurset në dispozicion, prandaj kërkohet një formë e prioritizimit. Kosova mund ta përdorë një qasje me faza për ta zvogëluar me sukses numrin dhe ndikimet e lokacioneve të kontaminuara për të mirën e popullit dhe të ekonomisë së saj.