Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, sot në Prizren është vendosur gurthemeli i shtatores së kryetrimit shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, projekt ky që ka kushtuar 70 mijë euro dhe që do të jetë i gatshëm në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Në ceremoninë solemne të vendosjes së këtij gurthemeli morën pjesë një numër i madh qytetarësh të Prizrenit, të prirë nga kryetari i Komunës Mytaher Haskukaj.
Ai me këtë rast tha se ky aktivitet bëhet së bashku me Trojet e Arbrit dhe se janë dakorduar që vendi ku do të vendoset shtatorja e Gjergj Kastriot-Skënderbeut të marrë emrin e kryetrimit të madh shqiptar.
Kryetari i Shoqatës së Intelektualëve gjithshqiptar Ndue Oroshi vendosjen e gurthemelit për heroin më të madh shqiptar të të gjitha kohërave, e ka quajtur një ditë të madhe për Prizrenin, teksa bëri të ditur se financimi i projektit do të bëhet nga Qendra Trojet e Arbrit.
Një fjalë rastin në vendosjen e gurthemelit në vendin që në të ardhmen do të quhet sheshi “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ka mbajtur edhe Selim Krasniqi, kryetar i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së në Prizren, raporton Kp.
Drejtori i administratës së Komunës së Prizrenit Osman Hajdari tha se projekti për ngritjen e monumentit kushtuar Gjergj Kastriot-Skënderbeut ka marrë mbështetjen e të gjitha partive politike në këtë komunë.
Ndryshe, ngritja e shtatores së Gjergj Kastriot-Skënderbeut do të bëhet më datën 2 mars 2020.